Kundër misionit të BE-së në Kosovë, për Kosovën në BE

06 Feb 2008

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar aksionin e shkruarjes së parullës kundërshtuese ndaj misionit të ardhshëm të BE-së, të quajtur EULEX. Aksioni është zhvilluar nga aktivistët e Lëvizjes VETEVENDOSJE! në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës.


Gjatë zhvillimit të aksionit në qytetet Besianë dhe Prizren, policia arrestoi dhunshëm aktivistët tanë si dhe konfiskoi shabllonët dhe sprejat me të cilët aktivistët e shkruanin parullën. Në Besiane janë arrestuar aktivistët: Blerim Maqastena, Labinot Balaj dhe Robert Bunjaku, ndërsa në Prizren aktivistët: Kushtrim Dakaj, Luan Hoti, Faruk Dakaj, Korab Veselaj, Artan Abrashi, Isa Balaj, Venhare Dervari, Myvedete Hoti, Arben Krasniqi, Shqipron Krasniqi dhe Nehat Ninaj.


Gjatë arrestimeve në Prizren policia ka reaguar në mënyrë brutale duke ushtruar dhunë ndaj aktivistëve, me ç’rast është përdorur edhe sprej lotsjellës. Në këtë ndërhyrje brutale është dalluar polici Bekim Tafaj me numrin identifikues 3199, i cili ka keqtrajtuar dhe fyer aktivistët edhe në Gjykatën për Kundërvajtje në Prizren.


Tashmë është bërë e qartë – Kosova nuk po lejohet të qeveriset nga populli i saj. Neve prapë po na udhëheq një mision i huaj. Emërtimi EULEX është arritur përmes bashkëdyzimit të akronimit për Bashkimin Evropian (ang. European Union - EU) dhe fjalës latine LEX që do të thotë ligj. Kështu i kanë thënë ligjit në Perandorinë Romake, dhe pikërisht këtë LEX perandoria e atëhershme synonte ta shtrinte nëpër vendet e pushtuara. Ne po shndërrohemi në një koloni të re?


Misioni i ardhshëm i BE-së do të jetë një UNMIK tjetër, fuqia politike e të cilit do të jetë cungim i drejtpërdrejtë i lirisë sonë. Ky do të jetë mision edhe më i rreptë në kontrollin që do t'ia bëjë politikës si dhe jetës shoqërore në përgjithësi në Kosovë, duke qenë se do të ketë kompetenca shtesë krahasuar me ato të UNMIK-ut. Përfaqësuesi Civil Ndëkombëtar do të ketë fuqi t'i përjashtojë nga detyra secilin zyrtar të zgjedhur me votë nëse kundërshton Pakon e Ahtisaarit. Njëkohësisht ata do të kenë pushtet t'i ndryshojnë ligjet që miratohen në Kuvendin e Kosovës nga delegatë të zgjedhur. Njëkohësisht misioni do të ketë kompetenca të drejtpërdrejta qeverisëse në lëminë e ligjit (polici e gjyqësi) si dhe në disa aspekte të rëndësishme të ekonomisë (do t’i emërojë udhëheqësit e doganave, tatimeve, privatizimit, etj.) Mu këto kompetenca e shndërrojnë misionin (edhe po të ishte njëmend mision për pavarësi) në qeveri absolute të Kosovës, duke shndërruar institucionet tjera në agjenci të asaj qeverie. Ky mision është kundër pavarësisë. Ai e varëson Kosovën.


Ne e dëshirojmë integrimin e Kosovës në BE, e jo qeverisjen e Kosovës nga misionet e BE-së. EULEX do të na e parandalojë integrimin. Shembull shumë të mirë e kemi Bosnjen. Ata janë nën Mision të udhëhequr nga BE-ja qe tetë vjet, pra qysh prej vitit 2000. Po të kishte qenë mision integrimi, deri tash Bosnja do ta kishte harruar momentin kur janë integruar në BE. Ata vërtetë e kanë harruar integrimin. Për shkak se i kanë humbur tërësisht shpresat se do të integrohen ndonjëherë. Të gjitha energjitë e Bosnjes shterren përbrenda përpjekjeve për integritetin e brendshëm. Të gjitha shtetet tjera në këtë pjesë të botës janë më afër integrimitsesa Bosnja. Asnjëra nga këto nuk qeverisen nga Misione të huaja, por nga qeveritë sovrane. BE-ja zgjerohet përmes një parimi formal - njohjes dhe respektimit të së drejtës për vetëvendosje të popujve. Popujt deklarohen përmes referendumit për t'iu bashkuar apo jo BE-së. Për shkak se ky Mision, dhe procesi politik që po e sjell atë këtu, na e mohon këtë të drejtë, po na e mohon dhe integrimin. Ky mision është kundër integrimit.


Misionet ndërkombëtare do të duhej të qëndronin në Kosovë në cilësinë e misioneve këshilldhënëse dhe monitoruese. Mirëpo në asnjë mënyrë si misione qeverisëse. Madje edhe këto misione këshilldhënëse/monitoruese do të duhej të instaloheshin në vendin tonë përmes marrëveshjeve me institucionet sovrane të Kosovës, e jo me institucione të tilla kukulla, apo, siç është rasti aktual i UNMIK-ut, me Serbinë.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera