Edhe semaforët thonë: JO EUMIK. VETËVENDOSJE!

22 Jan 2008

Pas sa e sa premtimeve për pavarësi, krejt çka po ndryshon në gjendjen e popullit të Kosovës, është ndërrimi i pushtuesit. Pra, nuk po ndryshon asgjë. Pas sa e sa premtimeve se gjoja UNMIK-u po i jeton ditët e fundit në Kosovë, ajo çka po përjeton Kosova është ndërrimi i UNMIK-ut me një tjetër UNMIK, edhe më të rëndë se i pari, ndërrimin e monarkut, me një tjetër që gjithashtu do të mund të marrë vendime tejet të rëndësishme për fatin e një populli të tërë. Vendimi për sjelljen në Kosovë të një misioni të ri ndërkombëtar nga BE-ja tanimë është bërë i qartë. Pushteti që ky mision do ta ketë është gjithashtu mëse i qartë: implementimi konkret i Pakos së Ahtisaarit. I tërë ky proces e ka vetëm një qëllim: shtypjen e vullnetit të popullit të Kosovës, dhe forcmimin e ndikimit të Serbisë brenda Kosovës.


Meqë hapsira që u jepet aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s në mediat e Kosovës kryesisht të kontrolluara nga UNMIK-u, është jashtëzakonisht e vogël – për të mos thënë zero – aktivistët zgjodhën semaforët e Prishtinës për ta vetëdijësuar popullin në lidhje me proceset politike, konkretisht në lidhje me misionin e ardhshëm ndërkombëtar që do ta trashëgojë UNMIK-un. Të marten më 22 janar 2008, duke filluar në orën 12:00, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s vendosën fletushka ngjitëse nëpër të gjithë semaforët e Prishtinës – në dritën e kuqe “JO EUMIK”, ndërkaq në të gjelbrën “VETËVENDOSJE!”.


Të vendosur për ta kundërshtuar pa kompromis çdo shkelës të vullnetit të popullit të Kosovës, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar, Lëvizja VETËVENDOSJE! po vazhdon së organizuari popullin e Kosovës nëpërmjet tubimeve e aksioneve, aktivitete këto do të vazhdojnë deri atëherë kur populli i Kosovës të realizojë vullnetin e tij politik, pra, deri në realizimin e plotë e të drejtës së tij për liri e vetëvendosje.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera