Tubim në Bishtazhin

20 Jan 2008

Bishtazhini është një fshat në komunën e Gjakovës me afër 90 shtëpi. Ky fshat paraqet edhe qendrën e famullisë së Bishtazhinit, e cila përfshin edhe 9 fshatra tjera me gjithsejt rreth 370 shtëpi. Popullata e këtij lokaliteti ballafaqohet me të njëjtat probleme sikurse edhe pjesa tjetër e shqiptarëve në Kosovë: gjendje të rëndë socioekonomike (mungesë të rrymës, ujit dhe vendeve të punës) dhe me amullinë e situatës politike këtu.


Si shembull konkret, cekim faktim se shumë nxënës që ndjekin mësimet në shkollën e Bishtazhinit nga fshatrat përreth, duhet të udhëtojnë mbi 7km këmbë për shkak të mungesës së interesimit të qeverisë lokale për të organizuar një transport për ta. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të dielën, më 20 janar 2008, vizituan Bishtazhinin në tubimin e organizuar me banorët e tij.Tubimi u mbajt në njërën nga klasët e ftohta të shkollës fillore 'Gjergj Fishta', por që u ngroh nga prania dhe mikpritja e bishtazhinasve të cilët morën pjesë në këtë tubim.


Gjatë këtij tubimi, për situatën politike në Kosovë, foli aktivisti Albin Kurti. Ai foli për humnerën politike në të cilën po zhytet fati i popullit shqiptar, humnerë kjo e krijuar nga negociatat e politikanëve tanë me Serbinë, gjatë të së cilave u bënë koncesione të pafalshme. Vëmendje e posaçme iu kushtua planit të decentralzimit, ku u fol për mënyrën perfide me të cilën Serbia po kërkon zgjerim të lokaliteteteve të banuara me serbë në mënyrë që krijohen vazhdimësi territoriale me territorin e Serbisë, proces ky të cilit ia kanë dhënë bekimin vetë Grupi Negociator i Kosovës në bisedimet e Vjenës. Albini theksoi se me një organizim më të mirë të popullatës lokale shqiptare në vendet e rrezikuara nga ky plan, mund të bëhet parandalimi i implementimit në terren të këtij plani, ashtu siç ka ndodhur në Cernicë të Gjilanit. Ai theksoi se vendet më të rrezikuara shpëtohen nëse për to angazhohen edhe qytetarët që s’janë nga ato vende. Rëndësi e veçantë iu kushtua edhe pikave të tjera të Planit të Ahtisaarit dhe arsyeve pse Lëvizja e ka kundërshtuar këtë plan. U potencua fakti që ‘eksterritorialiteti’ i trashëgimisë kulturore ortodokse që parashihet me këtë plan, e imortalizon konfliktin shqiptaro-serb, duke e shndërruar atë nga një konflikt etnik dhe fetar. Ushtria, një shtyllë e domosdoshme e një shteti, nuk parashihet në planin e Ahtisaarit. Albini u bëri të qartë të pranishmëve se FSK-ja nuk do të jetë ushtri e mirëfilltë, por një xhandarmëri nën urdhrat e NATO-s, e jo në partneritet me të.


Nga të pranishmit, u shquan studenti i mjekësisë Arben Veseli dhe ai i shkencave politike Agron Shala. Arbeni tha se kur nuk mungon vullneti nuk mungojnë as rrugët e mënyrat e zgjidhjes së problemeve duke ilustruar këtë me një situatë në Rekën e Keqe para disa dekadave atëherë kur shqiptarëve u merrej toka e bukës. Ndërkaq, Agroni tha që kemi ardhur në gjendjen ku po trajtohemi sikur ne të ishim banorë me qira në shtëpinë që është e jona dhe si argatë krahu në tokën që është e jona. Në fund, Albini tha se ndalimi i rikthimit të Serbisë në Kosovë dhe i Kosovës nën Serbi arrihet vetëm përmes referendumit për vetëvendosje dhe me anën e një mobilzim gjithëpopullor për këtë gjë.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera