Takim me Sindikatën e Pensionistëve të Kombinatit Trepça

11 Jan 2008

Në vazhdën e takimeve dhe tubimeve anembanë Kosovës për vetëdijësimin dhe organizimin e popullit për luftimin dhe kundërshtimin proceseve të dëmshme politike por edhe ekonomike, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u takuan me drejtuesit e Sindikatës së Pensionistëve të Kombinatit “Trepça”, për të biseduar për format e bashkorganizimit për ndaljen e këtyre proceseve të dëmshme.


Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve të Kombinatit Trepça, Ramadan Ademi, tregoi për problemet dhe pengesat që po iu shkaktohen punëtorëve nga regjim i padrejtë politik i UNMIK-ut dhe institucioneve politike. Punëtorëve të këtij Kombinati u është mohuar e drejta e tubimit, e shprehjes dhe e organizimit në objektet e “Trepçës”, e cila është ndërtuar me djersën e po këtyre punëtorëve, të cilët sot janë larguar nga puna, janë lënë në rrugë dhe janë nëpërkëmbur nga bordi menaxherial i “Trepçës”. Ky bord i shërben regjimit të UNMIK-ut dhe zbaton plane që janë në kundërshtim me vullnetin dhe interesin e punëtorëve, duke krijuar pabarazi në ndarjen e pensioneve sipas kategorive të pabarabarta, me qëllim të krijimit të përçarjes mes punëtorëve. Ramadan Ademi foli për planin e AKM-së për sjelljen e një menaxheri ndërkombëtar me qëllim të likuidimit apo privatizimit të “Trepçës” me një çmim tepër të ulët. Ndërsa tregoi se qëllimi kryesor i punëtorëve është ruajtja e pasurisë së Kosovës, pra ndalimi i privatizimit të “Trepçës” dhe foli për gatishmërinë e madhe të punëtorëve për ndaljen e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje shoqërore, e cila është pasuri kolektive e Kosovës. Ai tha se ka kërkuar nga institucionet e Kosovës shpalljen e “Trepçës” si pasuri kombëtare, sepse “Trepça” nuk na takon vetëm neve, por edhe gjeneratave që vijnë pas nesh, prandaj askush nuk ka të drejtë ta shesë apo tjetërsojë atë.


Në këtë takim u arrit pajtueshmëri për organizimin gjithëpopullor për kundërshtimin e këtyre padrejtësive të mëdha që po synojnë shpronësimit e popullit nga pasuria natyrore që i takon Kosovës, dhe qëllimit për pasurimin e kësaj klase politike. Privatizimi i kësaj natyre që po u bëhet pasurive tona nëpër ndërmarrjet shoqërore, ka për qëllim vetëm pasurimin e klasës sonë të korruptuar politike e cila përfiton shuma të majme vetëm e vetëm duke e marrë vendimin politik për t’ua shitur këto pasuri shoqërore bizneseve të ndryshme, dhe duke i lënë pa punë dhe pa përkujdesje punëtorët të cilët me vite të tëra i ngritën këto ndërmarrje me djersën e tyre. Për zgjidhjen dhe dhënien fund të krejt këtyre padrejtësive që po i bëhen popullit të Kosovës, nevojitet zgjidhja e problemeve fundamentale, pra realizimit i së drejtës për vetëvendosje për popullin e Kosovës, e cila do t`ia kthente të drejtën e shfrytëzimit të pakusht të resurseve natyrore në shërbim të mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të të gjithëve.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera