Lëvizja VETËVENDOSJE! me studentët mitrovicas

10 Jan 2008

Të enjten, më 10 Janar 2008, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubim dhe debat me studentët e fakultetit të Shkencave Teknike të Aplikuara dhe Fakultetit të Xehtarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë. Para studentëve dhe profesoreve, aktivisti Albin Kurti elaboroi konceptin politik për vetëvendosje dhe tregoi pse populli duhet të organizohet për referendum, si mjet i pazëvendësueshëm për ta materializuar vullnetin e tij politik për vetëvendosje.


Albin Kurti para studentëve dhe profesorëve elaboroi domosdoshmërinë e vetëvendosjes dhe sovranitetit. Vetëvendosja është e paalternativë sepse sovraniteti është vullnet i popullit. Vetëvendosja si zgjidhje mund të jetë e vetmja me të cilin populli i Kosovës do të pajtohej si minimum i kompensimit të humbjeve dhe vuajtjeve në të kaluarën. Ajo na krijon mundësinë e zhvillimit ekonomik dhe shftrytëzimit vetanak të resurseve natyrore për zhvillim ekonomik që di t`ia kthente sadopak dinjitetin e shkelur popullit të Kosovës. Sovraniteti i plotë do t`ia mbyllte pëfundimisht dyert Serbisë dhe aspiratave e planeve të saj për pushtim të Kosovës, ngaqë Kosova do ta kishte ushtrinë dhe policinë që do t`a mbronin atë.


Albini tregoi se ka mundësi që kah muaji shkurt Kuvendi i Kosovës të bëjë të ashtuquajturën “shpalljen e pavarësisë” e cila në të vërtetë zgjatë vetëm derisa të lexohet paragrafi i dytë i asaj deklarate të shpalljes ku i bëhet thirrje misionit të BE-së në Kosovë, mision i njëjtë si UNMIK-u që do t`i kishte kompetencat në fushat më të rëndësishme si në siguri, polici, gjyqësi, ekonomi dhe pushtet të plotë mbi institucionet e Kosovës, e gjithë kjo e paraparë në pakon e Ahtisarit, e cila është në kundërshtim flagrant me vullnetin ne popullit shqiptar të Kosovës. Pra, me pakon e Ahtisarit, Kosova nuk do t`i ketë elementet e sovranitetit. Albini shpjegoi se për të ditur nëse një vend është ose jo i pavarur mund ta masim me katër elemente e që janë: ulësja në OKB, ministria e mbrojtjes dhe ushtria, ministria e punëve të jashtme me ambasada nëpë botë dhe integriteti territorial.


Para studentëve Albini foli për pakon e Ahtisarit e cila i ka 58 faqe, të cilat flasin për varësinë e ardhshme të Kosovës nga misioni i BE-së, e ku askund nuk flitet për pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, janë gjashtë padrejtësi themelore të cilat i kemi veçuar si më të dëmshmet e që janë: Kuvendi i Kosovës do të sundohet nga “shumica e dyfishtë” apo “parimi i Badinterit”, e që nënkupton se serbët, respektivisht Serbia do ta kenë të drejtën e vetos apo bllokimit të vendimeve të Kuvendit të Kosovës. Decentralizimi apo krijimi i 11 komunave serbe të lidhura horizontalisht mes veti duke krijuar federatën e komunave serbe që do të udhëheqeshin nga Beogradi. Eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve i dhuron Serbisë 43 zona të veçanta mijëra hektarëshe dhe qëllimi më dashakeq është shkëputja e historisë autoktone shqiptare, duke e ndarë antikitetin nga e tashmja, me qëllim të paraqitjes së shqiptarëve si ardhacak në Kosovë, kjo sipas tezës më të re serbe për racionalizimin e planifikimin hegjemonist për ta okupuar Kosovën edhe territorialisht në një rast të volitshëm historik. Një nga padrejtësitë tepër qëllimkëqija që ia hapin dyert të gjitha të këqijave të mëpastajme është mungesa e forcës mbrojtëse apo ushtrisë e cila nuk na lejohet që ta kemi, sepse në pakon e Ahtisarit parashihet madje edhe shuarja e TMK-së e cila është fryma e vetme e UÇK-së. Prandaj parashihet krijimi i FSK-së e cila do t`i ketë 2.500 vetë nën moshën 30 vjeçare me qëllim që të ketë sa më pak ushtarë të UÇK-së, e cila forcë nuk ka të drejtë të posedojë artileri dhe as aviacion luftarak ajror. Pra, cilësisht dhe për nga sasia me këtë forcë nuk kemi mundësi që ta mbrojmë Kosovën nga Serbia e cila i ka 70.000 ushtarë. Prandaj duhet një organizim dhe mobilizim gjithëpopullor për ta kundërshtuar këtë pako. Padrejtësia e radhës është misioni i BE-së i cili do ta zëvendësojë misionin antidemokratik të UNMIK-ut me një mision tjetër antidemokratik më të vogël në numër, por me më shumë kompetenca. Përfaqësuesi i Misionit Civil Ndërkombëtar do të ketë të drejtë të shkarkojë ministra dhe të na i ndryshojë ligjet. Pra, do të jetë një njeri mbi ligjet, mbi vullnetin e një populli dhe kundër tij. Do të kemi një diktator të ri ndërkombëtar. Padrejtësia e gjashtë, por jo e fundit, është ekonomia dhe ndarja e borxhit të jashtëm. Ekonominë e eksploatuar dhe shkaterruar nga regjimi i Milosheviqit, e vazhdoi edhe UNMIK-u përmes procesit të privatizimit, duke shitur ndërmarrjet publike me çmime tepër të ulëta dhe duke i bllokuar paratë e privatizimit dhe moslejuar shfrytëzimin e tyre për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas pakos së Ahtisarit, Kosova do ta ndajë borxhin e jashtëm të Jugosllavisë (tash Serbisë), por nuk do të jetë trashëgimtare e pasurisë së Jugosllavisë.


Albini foli edhe për Mitrovicën dhe Trepçën. Ai shpjegoi se shqiptarët e veriut të Mitrovicës kanë nevojë të jashtëzakonshme që të ndihmohen nga pjesa jugore e qytetit të Mitrovicës, duke bërë presion në institucione që të ketë më shumë siguri për shqiptarët në veri të Mitrovicës, për nevojën e tyre që të kenë transport të sigurt dhe të çdoditshëm pa pagesë, dhe të bëhet trysni te institucionet që ato t`i blejnë pronat e shqiptarëve në veri e jo Serbia, siç ka ndodhur deri më tash. Albini tregoi se si janë planet për shkatërrimin e pastaj shitjen me një çmim sa më të ulët të Trepçës, sepse keshtu ndodhi me Ferronikelin, e kjo po i përgatitet edhe Trepçës, KEK-ut dhe gjithë asaj që është pasuri e Kosovës, me qëllim të shkatërrimit ekonomik të saj, dhe lodhjes së popullit nga varfëria e mjerimi social e ekonomik, që pastaj të mos mund t’i rezistojë zgjidhjeve që do të jenë kundër vullnetit të tij.


Prandaj, vetëdijësimi i popullit për projektet e dëmshme që po i`u përgatiten, e sidomos kundër Pakos së Ahtisarit, është parakusht themelor për mobilizimin për demonstatat e ardhshme dhe masive që duhet t’i organizojmë nëpër gjithë Kosovën për realizmin e vullnetit politik për vetëvendosje. Përderisa nuk e kemi lirinë dhe sovranitetin, nuk e kemi as dinjitetin. Albini i ftoi të gjithë të pranishmit që të bashkohen në rrugën drejt lirisë dhe vetëvendosjes.


Studentët bënë pyetje e komente për konceptin politik të vetëvendosjes. Studentja Shqipridona Haxhiu pyeti se pasi ta realizojmë vetëvendojen për Kosovën, a ka synim Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkimin kombëtar, apo do të ndalet me kaq, dhe pyeti se si mbijeton financiarisht Lëvizja VETËVENDOSJE! Albini shpjegoi se qëllimi i VETËVENDOSJE!-s është që populli të vendos dhe të zgjedhë për të ardhmen e tij, dhe kjo është e mundur vetëm përmes referendumit apo vetëvendosjes, e cila si vetëvendosje e jashtme deri në shkëputje përfshin edhe të drejtën e bashkimit me një shtet tjetër (në këtë rast me Shqipërinë). Më pas ai sqaroi se finacimi i Lëvizjes bëhet nga vetë aktivistët sipas gjendjes së tyre ekonomike familjare. Studenti Kushtrim Berisha pyeti se çka mendoni për koalicionin e ri qeverisës PDK-LDK? Formulat e qeverisjes në Kosovë përcaktohen kryesisht nga zyrat e huaja ndërkombëtare dhe interesat e partive të mëdha për t’u korruptuar bashkërisht, sepse nuk ekziston dallimi konceptual politik në mes këtyre dy subjekteve dhe se ndërkombëtarëve iu duhej një qeveri e fuqishme për ta shtypur pakënaqësinë e popullit për proceset e dëmshme që po i përgatiten atij, tha Albini.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera