Së bashku me mjekët e ardhshëm

08 Jan 2008

Qartësia politike e popullit për proceset aktuale që po ndodhin në kundërshtim me vullnetin e popullit, është parakusht i vendosmërisë së qytetarëve për t’i ndalur ato, e për ta realizuar interesin e vet kolektiv. Sa më të vetëdijshëm për rrezikun që po na kërcënohet neve dhe gjeneratave tjera në të ardhmen, qytetarët do të jenë po aq të gatshëm për t’u bashkorganizuar në përpjekjen tonë si popull për ta arritur vetëvendosjen dhe referendumin për lirinë e Kosovës. Kjo është arsyeja e dhjetëra tubimeve që po i organizon Lëvizja VETËVENDOSJE! me qytetarët e Kosovës anembanë vendit. Me këto fjalë e hapi tubimin e sotshëm me studentët e mjekësisë të organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, aktivisti Glauk Konjufca. Ai shpjegoi drejtimin negativ të procesit politik, që rrjedh drejtpërdrejt nga pushteti politik antidemokratik i UNMIK-ut dhe institucioneve tona politike që padrejtësisht e udhëhoqi Kosovën drejt negociatave me Serbinë, negociata të cilat e sollën Pakon e Ahtisaarit që na e mohon vetëvendosjen. Pakoja e Ahtisaarit na e mohon ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Jashtme me ambasada nëpër botë, ulësen në OKB dhe integritetin territorial, meqë na e krijon një entitet të pavarut të kontrolluar nga Beogradi.


Albin Kurti para studentëve, profesorëve dhe punëtorëve të Fakultetit të Mjekësisë elaboroi domosdoshmërinë e vetëvendosjes dhe sovranitetit. Vetëvendosja është e paalternativë sepse sovraniteti është vullnet i popullit. Ajo si projekt është e vetmja zgjidhje që popullin e Kosovës sadopak e zhdëmton nga vrasjet, dëbimet, vuajtjet, dëmet, shkatërrimin dhe prapambeturinë e pësuar nga Serbia përgjatë të shkuarës. Realizimi i kësaj të drejte e bën Kosovën sovrane, pra me ushtri, e kjo është e vetmja garanci për t’ia mbyllur shtegun apetiteve (edhe të tanishme) territoriale të Serbisë kundër Kosovës. Dhe së fundi, shtoi Albini, liria kolektive emri i së cilës është vetëvendosje, është parakusht i pazëvendësueshëm i mundësisë për zhvillim ekonomik. Sot, një bujk nuk ka llogari ta punojë tokën e tij, sepse politika (qëllimisht) e mbrapshtë aktuale ekonomike që aplikon ky sistem i padrejtë politik, bën që çmimi i punës bujqësore të jetë gjithqysh më i lartë sesa përfitimi përfundimtar. Kjo ndodh ngaqë Rezoluta 1244 e cila Kosovën (juridikisht) e trajton si pjesë të Serbisë, nuk i tatimon mallrat që vijnë nga Serbia, dhe prandaj kjo politikë ekonomike ka si rezultat të fundit mbytjen e prodhimtarisë vendore, duke e shtyrë vendin tonë edhe më thellë drejt një krize të rëndë ekonomike dhe mjerimi shoqëror.


Gjendja e rëndë shoqërore dhe politike në të cilën na ka katandisur kjo politikë kundër interesave të qytetarëve, e ka kapluar edhe sistemin shëndetësor në Kosovë. Aktivistja Liridona Guci, studente e Fakultetit të Mjekësisë tha që gjendja e rënies së vazhdueshme ekonomike si rrjedhim i mungesës së lirisë kolektive ka sjellur profesorët e fakultetit përballë problemeve të rënda ekzistenciale, e cila pasqyrohet negativisht edhe në procesin e arsimimit të studentëve.


Studentët, profesorët dhe punëtorët e pranishëm shtruan pyetje të ndryshme dhe bënë komente të shumta lidhur me konceptin politik të VETËVENDOSJE!-s. Studenti Ilir Axhiri, pyeti cila duhet të jetë rruga drejt vetëvendosjes. Vetëdijësimi politik nëpërmjet tubimeve, aksionet e përditshme kundër antidemokracisë, pra UNMIK-ut, demonstratat paqësore masive kundër Pakos së Ahtisaarit dhe Grupit të Unitetit dhe me kërkesa të vendosura e të qarta për referendum, e trasojnë rrugën e domosdoshme kah vetëvendosja, shpjegoi Albini. Në pyetjen e studentes, Miranda Hoti e cila deshi të dinte më shumë lidhur me arsyet pse policia sulmoi në mënyrë të dhunshme demonstruesit e padhunshëm më 10 shkurt, Albini tha që ndërhyrja e armatosur e pushtetit kundër demonstruesve të paarmatosur, ka qenë përpjekje e pasuksesshme e tij për ta kriminalizuar VETËVENDOSJE-n dhe synim për ta frikësuar nëpërmjet plumbave dhe terrorit rrugëtimin e popullit drejt lirisë.


Pas këtij tubimi që u mbajt në amfiteatrin e dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, shumë studentë u regjistruan si aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera