Dumoshasit interesohen se si të ndalet decentralizimi

30 Dec 2007

Dumoshi është fshat në komunën e Besianës, në afërsi të liqenit të Batllavës. Aktulisht Dumoshi i ka diku afër 160 shtëpi. Këto 160 shtëpi ndajnë një shkollë fillore të quajtur “Musli Dumoshi”, përderisa dumoshasit janë të detyruar të udhëtojnë nëpër një rrugë të paasfaltuar, gjë që ua vështirëson atyre dukshëm stinën e dimrit.


Të dielën, më 30 dhjetor 2007, këtë fshat e vizituan aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Aktivistët u takuan me qytetarët atje, dhe organizuan një tubim me ta.


Afër 80 persona, qytetarë nga Dumoshi, u mblodhën në njërën prej mësonjtoreve të shkollës së Dumoshit, për t’i diskutuar zhvillimet politike me aktivistët e Lëvizjes. Në kthinën e mësimit të ngrohur me flakën e drurëve për djegie, tubimin e hapi Avdullah Lala, përfaqësues i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë. Avdullahu i përshëndeti të pranishmit, dhe e bëri një njoftim të shkurtër për veten e tij si përfaqësues i Lëvizjes në Besianë. Pastaj fjalën e mori aktivisti Albin Kurti i cili e bëri një prezentim të shkurtër të aktulitetit politik në Kosovë dhe historikut të degradimit të pozitës politike të popullit të Kosovës. Vëmendje më të madhe në këtë tubim iu kushtua Pakos së Ahtisaarit, zbatimin e së cilës do ta udhëheqë ky misioni i BE-së, i ndihmuar nga bashkëpunëtorët vendor, të bashkuar në koalicionin PDK-LDK. Në veçanti u bisedua për ndarjen territoriale dhe etnike të Kosovës përmes decentralizimit si dhe ndarjes fetare përmes eksterritorialitetit. Albini foli edhe për qëndrimin e Lëvizjes në raport me bashkësinë ndërkombëtare, dhe për atë se si Kosova ka nevojë për këshilla dhe ndihma nga bashkësia ndërkombëtare, por jo për sundim të huaj.


Dumoshasit që kishin ardhur të dëgjonin të vërtetën për politikën në Kosovë siç e sheh Lëvizja VETËVENDOSJE! u interesuan më shumë për dy çështje kryesore: decentralizmin dhe shpalljen e proklamuar. Reshati, student rreth 21 vjeçar nga Dumoshi, u interesua për mundësinë e ndaljes së decentralizimit dhe çfarë do të duhej të bënte populli i Kosovës për këtë ndalje. Për këtë Albini e përmendi domosdonë e organizimit popullor, veçanërisht të banorëve nëpër fshatrat shqiptare të cilat parashihen të bëhen pjesë e komunave të reja serbe. Ky organizim do të duhej ta kundërshtonte pjesëmarrjen nëpër këto komuna dhe t’i refuzonte kuvendet komunale dhe administratën e këtyre komunave. Fshatarët e Cernicës së Gjilanit ishin organizuar dhe kishin nënshkruar një peticion kundër përfshirjes së fshatit të tyre në komunën e Parteshit. Ata ishin zotuar se këtë përfshierje do ta kundërshtojnë edhe me mjete tjera. Në Pakon e Ahtisaarit Cernica nuk figuron në përbërje të Parteshit. Por Parteshi mbetet. Pra, organizimi është i domosdoshëm të jetë i vazhdueshëm, i vendosur dhe afatgjatë deri sa të ndalet decentralizimi si projekt.


Ky projekt, si dhe të gjitha projektet dhe kërcënimet dashakeqe të Serbisë, ndalen atëherë kur populli i Kosovës futet në procesin politik përmes referendumit dhe vetëvendosjes. Vetëm kështu mund të sigurohemi se Kosova do të shkëputet përfundimisht nga Serbia dhe t’i zhvillojë kapacitetet e veta mbrojtëse kundër kërcënimeve nga Serbia. Pra, kështu do ta kemi ushtrinë që na mbron nga jashtë, dhe policinë që na siguron brenda.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera