Tubim në Mitrovicë

25 Dec 2007

 


Të martën, më 25 dhejtor 2007, në qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Mitrovicë u organizua një tubim me aktivistë, studentë, intelektualë, punëtorë e qytetarë ku u bisedua për proceset aktuale negative socio-ekonomike e politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë si dhe padrejtësitë që po i bëhen popullit duke ia mohuar të drejtat, vlerat qenësore të tij e vullnetin politik.


Në këtë tubim para të pranishmëve foli Albin Kurti. Albini shpjegoi se si pakoja e Ahtisarit e pranuar nga Grupi Negociator e ndanë Kosovën përmes procesit të decentralizimit, ‘eksterritorialitetit’, si dhe planeve të Serbisë për rikolonizimin e Kosovës duke mundësuar krijimin e gjithsej 11 komunave serbe që do të kontrolloheshin ekskluzivisht nga Beogradi. Po ashtu, Albini tregoi se si pakoja e Ahtisarit është një dokument që popullit të Kosovës ia mohon dhe pamundëson sovranitetin, pasi që sipas pakos së Ahtisaarit, Kosova nuk do ta ketë ushtrinë, ulësen në OKB, ministrinë e mbrojtjes dhe ministrinë e punëve të jashtme me ambasada nëpër botë, si dhe brenda saj do ta ketë entitetin e pavarur serb të Kosovës. Albini elaboroi se si rezoluta 1244 dhe pakoja e Ahtisarit përmbajtësisht janë në përputhje të plotë dhe që dyja parashohin njëfarë autonomie substanciale që është në kundërshtim të plotë vullnetin e popullit të Kosovës.


Albini shpjegoi alternativën e organizimit gjithëpopullor drejt arritjes së vetëvendosjes. Metoda më e mirë për organimin tonë drejt lirisë mbesin demonstratat masive dhe afatgjate të shtrira nëpër të gjithë Kosovën. Në rrugën për ta realizuar këtë nevojitet punë sistematike për një mobilizim dhe vetëdijësim popullor që demonstratat e ardhshme të jenë masive.


Të gjithë të pranishmit shfaqën brengat e tyre dhe pasojat që ata, familjet e tyre, e gjithë shoqëria dhe populli i Kosovës po pëson nga ky proces i dëmshëm. Ata mbështetën konceptin politik të VETËVENDOSJE!-s dhe shprehën pajtimin dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në realizimin e së drejtës sonë për vetëvendosje.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera