VETËVENDOSJE!-a te studentët

18 Dec 2007

Njëri prej tubimeve të shumta që Lëvizja VETËVENDOSJE! po i realizon me popullin dhe shtresat e ndryshme shoqërore të Kosovës, u mbajt të martën, më 18 dhjetor 2007, në amfiteatrin e Fakultetit Juridik, i mbushur përplot nga studentët dhe profesorët e drejtësisë dhe ekonomisë, si dhe shumë qytetarë pjesëmarrës. Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, Visar Ymeri e Glauk Konjufca, shtruan konceptin politik për liri e vetëvendosje dhe alternativën e organizimit popullor për imponimin e vullnetit kolektiv për sovranitet.


Glauku tha që VETËVENDOSJE!-a është kundër UNMIK-ut sepse UNMIK-u është kundër vetëvendosjes për popullin e Kosovës. Kjo administratë që qeveris me Kosovën absolutisht, atdheun tonë padrejtësisht e përcakton si pjesë legale të Serbisë. Negociatat e parapara sipas Rezolutës antishqiptare 1244 e kanë sjellur Pakon e Ahtisaarit që Kosovën territorialisht e copëton me decentralizim, historikisht e kulturalisht e tjetërson me eksterritorialitet, demografikisht e rikolonizon atë nëpërmjet kthimit masiv të organizuar dhe të përqendruar të serbëve nëpër vendet strategjike për të cilat po vendos Beogradi.


Rënien ekonomike të Kosovës nën keqqeverisjen e UNMIK-ut, Visari e shpjegoi si rrjedhim të drejtpërdrejtë të mohimit të të drejtave politike kolektive të popullit të Kosovës prej regjimit antidemokratik ndërkombëtar. Si është e mundur që Kosova prej të gjithë ekspertëve dhe hulumtimeve ekonomike konsiderohet njëri prej vendeve më të pasura me burime dhe pasuri natyrore nëntokësore e mbitokësore, kurse në të njëjtën kohë ne nuk kemi rrymë, nuk kemi punë, dhe përditë po varfërohemi edhe më shumë – pyeti Visari? Ndodh kështu sepse të gjitha ndërmarrjet publike të cilat sjellin të ardhura marramendëse qeverisen prej UNMIK-ut. UNMIK-u kontrollon politikën monetare dhe fiskale të Kosovës, e cila strategji e ngulfat dhe e mbyt prodhimtarinë vendore, jo vetëm duke mos e ndihmuar atë, por duke i krijuar Serbisë lehtësime tatimore për plasimin e mallrave brenda Kosovës.


Albini foli për mjerimin shoqëror në të cilin Kosovën e ka mbërthyer politika e UNMIK-ut dhe dora e tij e zgjatur - politikanët e Grupit të Unitetit dhe institucionet servile të Kosovës. Ai shpjegoi hapat e domosdoshëm organizativ drejt arritjes së vetëvendosjes. Mobilizimi gjithpopullor, demonstratat masive popullore të shtrira nëpër Kosovë dhe të qëndrueshme në kohë, duhet të bëhen me kërkesa të qarta politike ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve politike: referendum për vetëvendosje të njohur ndërkombëtarisht; institucione sovrane të cilat e nxjerrin kushtetutën e shtetit të Kosovës; TMK-ja të zhvillohet deri në nivelin e një ushtrie për mbrojtjen e Kosovës; kontrollimi i SHPK-së si polici e Kosovës; kontrollimi i territorit të Kosovës; dhe vetëm pas kësaj shpallja e këtij realiteti që është pavarësia e njëmendtë e vendit. Pa këto hapa, shpallja e pavarësisë së Kosovës prodhon automatikisht pavarësimin e veriut dhe enklavave nga Kosova. Prandaj, ky do të ishte një skenar dashakeq për ndarjen e qëllimshme dhe të paramenduar të Kosovës. Kurse nëse shpallja paraprihet nga kontrolli efektiv i territorit, aftësia mbrojtëse dhe referendumi, atëherë vetëvendosja do të ndodhte dhe do të mbrohej.


Të pranishmit u bënë pjesë e debatit nëpërmjet ideve që dhanë dhe pyetjeve që shtruan. Ata njëzëri mbështetën konceptin politik të VETËVENDOSJE!-s. Pas tubimit, shumë prej tyre u bënë aktivistë, duke ofruar kontributin e tyre në aktivitetin politik të VETËVENDOSJE!-s për arritjen e qëllimeve të popullit.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera