Edhe një hap drejt mobilizmit…

09 Dec 2007

Të dielen, më 9 dhjetor 2007, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubim me qytetarë në fshatin Topliçan të komunës së Lypjanit. Në tubimin që filloi në ora 15:00 u diskutua rreth procesit të dëmshëm aktual politik nëpër të cilin po kalon vendi ynë. Aty, para të pranishmëve foli aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Ai i njoftoi qytetarët me dëmet që i sjell Pakoja e Ahtisaarit si:


    * Shumica e dyfishtë në Kuvend,


    * Decentralizimi etnik,


    * ‘Eksterritorialiteti’ fetar,


    * Shuarja e TMK-së,


    * Misioni sundues i BE-së,


    * Pjesëmarrja e Kosovës në borxhin e Serbisë, etj.


Ndër të tjera, qytetarët u njoftuan edhe me dëmet që ia shkakton kjo pako komunës së Lypjanit. Krijimi i komunës së Graçanicës e bën lidhjen e saj me fshatrat Livaxhë, Skullan, Lepi e Radevë të komunës së Lypjanit përmes fshatit Sushicë. Kjo komunë e Graçanicës që Serbisë ia dha Grupi Negociator i Kosovës territorialisht lidhet edhe me zonën e veçantë që i jepet Manastirit të Shën Florit dhe e cila për më keq e ndan qytetin e Lypjanit në dy pjesë duke e shndërruar atë në një Mitrovicë të dytë.


Shpallja e pavarësisë pa referendumin që do ta bënte popullin faktor dhe do ta sjellte atë në proces politik, pa e bërë TMK-në ushtri e cila do ta mbronte atë pavarësi dhe pa e pasur SHPK-në nën kontroll vetë Kosova e jo UNMIK-u, nuk do ta bënte Kosovën shtet të pavarur, por përkundrazi, do ta coptonte atë. Në rastin e shpalljes së pavarësisë, serbët do ta shpallnin atë të pavlefshme nëpër enklava dhe për dallim nga ne, ata i kanë strukturat e armatosura që do t’i mbronin territoret e kontrolluara nga ta. Kjo ishte përgjigja e Albinit në lidhje me pyetjen se “çfarë do të ndodhë nëse Kuvendi i Kosovës e shpallë pavarësinë”. Kosova pa ushtri dhe ministri të mbrojtjes, pa ulëse në OKB, pa ministri të punëve të jashtme është Kosovë josovrane, pra, e varur nga të tjerët, shtoi Albini.


Diskutimi rreth këtyre çështjeve vazhdoi dhe me këtë rast shumë të pranishëm e shprehën indinjatën e tyre ndaj këtij procesi politik si dhe ndaj atyre që po e udhëheqin atë. “Po na kthehet sistemi titist. Dikur ishte bashkim vëllazërimi, tash është multietniciteti”, u shpreh njëri nga qytetarët e pranishëm në këtë tubim. “Partneriteti mund të ekzistojë vetëm në mes të të barabartëve. Përderisa këtu UNMIK-u e mban tërë pushtetin në duart e veta, IPVQ-të shërbejnë vetëm për t’iu bindur urdhrave të tij në mënyrë që t’i bëjë ato më lehtë të zbatueshme. Kjo është marrëdhënie varësie e jo partneritet”, deklaroi një tjetër banor i fshatit.


Për nevojën e domosdoshme të organizimit dhe mobilizimit të popullit për demonstrata masive dhe paqësore drejt referendumit, si materializim i së drejtës për vetëvendosje, u fol në pjesën e fundit të tubimit. Qytetarët, të vetëdijshëm për rrezikun e madh që po i kanoset Kosovës, u shprehën të gatshëm për pjesëmarrje në demonstratat e ardhshme kundër këtij regjimi shtypës e sistemi të padrejtë dhe për vetëvendosje.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera