Kundër treshes negociatore ndërkombëtare

03 Dec 2007

Në mbrëmjen e 3 dhjetorit dhjetëra aktivistë të VETËVENDOSJE!-s nëpërmjet një aksioni simbolik protestuan kundër ardhjes së treshes negociatore ndërkombëtare në Kosovës (Harçenko, Ishinger dhe Vizner). Nëpërmjet pankartave (Harçenko Ishinger Vizner - HIV), aktivistët treguan që zgjidhja e cila po i imponohet Kosovës është një paketë Ahtisari minus që është e barasvlefshme me HIV plus për Kosovën. Kur t’ia heqin pakos së Ahtisaarin pjesën joobligative, rekomandimin e pavarësisë së kushtëzuar që Kosovës ia mohon vetëvendosjen e brendshme, atëherë synojnë ta zbatojnë këtë dokument antishqiptar i cili Kosovës ia shlyen dhe uzurpon historinë dhe kulturën nëpërmjet “eksterritorialitetit”, kurse territorialisht e copëton së brendshmi nëpërmjet “decentralizimit”. Strukturat paralele të Serbisë brenda Kosovës i legalizon, kurse enklavat e kontrolluara prej Beogradit i lidh e zgjeron. UNMIK-u dhe bashkësia ndërkombëtare qe tetë vjet kanë toleruar dhe bile përkrahur këtë varësi të këtyre territoreve nga Serbia, prandaj ato përgjatë gjithë kohës kanë qenë shumë më të pavarura se ç’është e pavarur Kosova nga Serbia. Treshja ndërkombëtare HIV po i paraprin këtij procesi infektues që po rrezikon ta përfshijë krejt trupin e vendit tonë. Kjo ishte arsyeja pse shumë aktivistë të VETËVENDOSJE!-s nëpërmjet preparative të ndryshme dezinfektive e dekontaminonin vendin përreth Asamblesë së Kosovës ku takoheshin treshja ndërkombëtare së bashku me anëtarët e grupit të Unitetit të cilët e mbështesin këtë infektim të Kosovës, duke e negociuar statusin dhe lirinë e saj. Njëri prej aktivistëve, Muhamet Krasniqi, u sulmua fizikisht nga anëtarët e SHPK-së të cilët deshën ta pengojnë pa sukses aksionin tonë paqësor.


Sot kur klasa politike e Kosovës po bën shumë zhurmë për shpalljen e njëanshme të bashkërenduar ndërkombëtarisht të pavarësisë, kjo shpallje e njëanshme, nëse asaj nuk do t’i paraprinte një referendum i njohur prej bashkësisë ndërkombëtare, do të përkthehej automatikisht në ndarjen e qëllimshme dhe të paramenduar të vendit tonë, meqë territoret e banuara me serbë do ta shpallnin pavarësinë e tyre nga Kosova. Vetëm pasi të na njihej vullneti politik si popull, prej kësaj do të dilnin institucionet e vërteta politike që shtrijnë sovranitetin e tyre në çdo cep të Kosovës, e të cilat do ta konfirmonin këtë sovranitet të tyre faktik edhe deklarativisht nëpërmjet aktit të shpalljes. Sepse shtetet fillimisht krijohen e pastaj ekzistenca e tyre shpallet për t’u njohur realiteti i ri faktik i krijuar. Shpallja nuk do ta bashkojë Kosovën, e as nuk do ta bëjë atë shtet.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera