Lëvizja VETËVENDOSJE! shënon 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit

28 Nov 2007

Duke filluar në orën 17:00, nga Qendra e Studentëve në Prishtinë, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë barur flamurin e madh kombëtar shqiptar me dimensione 12 metra X 6 metra, në një marsh nëpër rrugën “Agim Ramadani” e deri te Teatri Kombëtar “Adem Jashari”. Aktivistët gjersa marshonin mbanin pishtarë të ndezur në duar dhe ashtu siç ishin të radhitur në formë të shkronjës “V” u vendosën në shkallët e Teatrit ndërkaq sipër tyre u ngjit lartë flamuri dhe më pas u intonua himni kombëtar. Aktivistëve dhe qytetarëve të shumtë që u bashkuan iu drejtua Albin Kurti. Në vijim është dhënë teksti i fjalimit të tij:


Të dashur aktivistë,


Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi,


Urime 28 Nëntori – Dita e Flamurit!


Në Tiranë Skenderbeu qëndron me shpatën e ngrehur lartë.


Këtu në Prishtinë, atij ia kanë ulur shpatën.


Në Shkup Skenderbeu e ka shpatën e futur në këllëf.


Në Luginë të Preshevës ai nuk është fare.


Gjuha shqipe në Shqipëri është gjuhë zyrtare.


Në Kosovë ajo e ndanë hapësirën zyrtare me serbishten.


Në Maqedoni lejohet përdorimi i saj vetëm pjesërisht.


Në Luginë vetëm privatisht.


Shqiponja dykrenare valvitet e vetme në Shqipëri.


Në Kosovë po e shndërrojnë në flamur të dasmave.


Në Maqedoni e ndaluan përdorimin e tij.


Në Luginë të Preshevës shqiptarët arrestohen nëse e përdorin.


Mungesa e lirisë po na çkombëtarizon. Sa më pak që po jemi të lirë, aq më pak po lejohemi të jemi shqiptarë.


Po duan të shpikin flamuj të rinj dhe identitete të reja vetëm dhe vetëm që të na ndajnë nga trungu shqiptar dhe asisoj Serbia të na gllabërojë lehtë. Këtë gjë më së shumti po e ndihmon Grupi Negociator i Kosovës i cili banon në aeroplanin Prishtinë-Vjenë.


28 Nëntori është datë që shënon një varg aktesh në historinë tonë kombëtare. Skënderbeu, Ismail Qemajli, Adem Jashari dhe UÇK-ja na mësojnë se lufta për liri dhe vetëvendosje është vendim i njëanshëm. Asnjëri prej tyre nuk priti të përfundojnë proceset, por vendosën që të luftojnë të jenë të lirë.


Sot nuk kemi kohë për të festuar. Sot është për t’u organizuar dhe rezistuar. Ta lidhim edhe një herë besën për çlirim dhe shpëtim.


Ju falemnderit.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera