Demonstratë në Bruksel për lirinë e pavarësinë e Kosovës

24 Nov 2007

Të shtunën, me 24 nëntor 2007, para institucioneve evropiane, në Place Schuman 1000 në Bruksel duke filluar në orën 12:00 është mbajtur një demonstratë me moton "Për Kosovën e Lirë dhe të Pavarur". Qëllimi i kësaj demonstrate ka qenë që t’i bëhet e ditur faktorit ndërkombëtar se çfarëdo propozimi a raporti që do ta dërgojë e ashtuquajtura "treshe ndërmjetesuese" në KS të OKB-së me 10 dhjetor 2007 do të jetë i papranueshëm për popullin e Kosovës në qoftë se është më pak se pavarësia e plotë e cila paraqet vullnetin e popullit.


Të pranishëm në demonstratë kanë qenë diku rreth 300 vetë. Demonstruesit kanë bartur parulla, në të cilat kanë qenë të shkruara kërkesa të shumta si: "Vetëvendosje për popullin e Kosovës", "Referendum për Pavarësi", "Liria nuk negociohet", "Liri për Albin Kurtin", "Liri për Çlirimtarët", "Maqedoni, mos luaj me zjarr" etj. Parullat kanë qenë të shkruara shqip, anglisht, frëngjisht dhe holandisht. Demonstruesit kanë bartur gjithashtu simbole kombëtare shqiptare dhe belge, si dhe simbolet e Bashkimit Evropian.


Demonstrata ka zgjatur një orë e gjysmë dhe gjatë kësaj kohe të tubuarve u janë drejtuar me fjalime disa aktivistë nga shoqata dhe lëvizje politike e kulturore të shqiptarëve që jetojnë në Belgjikë.


Në demonstratë është lexuar edhe telegrami inkurajues i Albin Kurtit si dhe letra përkrahëse e të gjitha qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në diasporë. Gjatë leximit të telegramit të Albinit, masa e tubuar është ‘ndezur’ dhe disa herë e ka ndërprerë leximin duke brohoritur "Albin Kurti, Albin Kurti" dhe "Vetëvendosje, Vetëvendosje". Kjo ka qenë edhe pika më kulminante e demonstratës. Përfaqësuesi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Belgjikë, Albert Jusufi, në fjalimin e tij, ka kërkuar referendum për pavarësinë e Kosovës, dhe nga faktori ndërkombetar ka kërkuar që të mos i përsërisin gabimet e konferencave të Londrës dhe Berlinit, por të njohin pa hezitim vullnetin e popullit të Kosoves.


Në emër të Këshillit Organizativ ka folur Milaim Ziberi nga shoqata "Horizonti 2001"; në emër të veteranëve të luftës së UÇK-së ka folur Bajram Selmanaj, përfaqësues i FBKSH-së; në emër të familjeve të dëshmorëve dhe në emër të familjes Haradinaj në veçanti ka folur Ismet Haradinaj. Pastaj, kanë folur edhe Ismet Ademi biznismen dhe veprimtar nga Antwerpen-i; Hajrullah Haliti, albanolog dhe gazetar; dhe, Xheladin Demiri, veprimtar me prejardhje nga Maqedonia. Nga ata që folën para demonstruesve është thënë se në këto momente historike nëpër të cilat po kalon Kosova, kur prapë të tjerët po vendosin për fatin tonë, ndihma e diasporës shqiptare është më së e nevojshme. Po ashtu, u tha që asnjë mision i ardhshëm ndërkombëtar, çfarëdo qoftë ai, që do të zëvendësojë UNMIK-un, nuk është i mirëseardhur për popullin e Kosovës, nëse paraprakisht nuk pranohet shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës. Nga folësit u theksua që mbajtja në arrest pa asnjë fije faji e, siç u quajt, liderit të ri të Kosovës, Albin Kurtit, është e papranueshme për popullin: Albin Kurti është përfaqësues i rrymës së re politike-filozofike në Kosovë, prandaj izolimi i tij do të thotë izolim i mendimit të lirë e përparimtar për lirinë e popullit. Që të gjithë potencuan se populli i Kosovës kërkon drejtësi nga institucionet ndërkombëtare dhe kërkon të drejtën për të shprehur vullnetin e tij për fatin e tij.


Në demonstratë është vërejtur mungesa e mediave të censuruara nga UNMIK-u (RTK, KTV, etj.), por ka qenë një prani e kënaqshme e mediave ndërkombëtare dhe lokale belge. Një delegacion tre anëtarësh i Këshillit Organizativ është pranuar një ditë më herët (e premte 23 nëntor 2007) nga Michael Giffoni, këshilltar i zyrës së Solanës, me ç'rast i kanë dorëzuar një dokument me kërkesat tona.


Demonstruesit janë shpërndarë të qetë dhe bashkëpunimi me organet lokale belge rreth organizimit ka qenë i nivelit më të lartë të mundshëm profesional.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Belgjikë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera