Tubim me studentët pejanë

12 Nov 2007

Edhe sot vazhdoi fushata antizgjedhore e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për demaskimin e mashtrimeve dhe gënjeshtrave që partitë politike po ia servojnë popullit të pambrojtur nga propaganda e regjimit. Në një tubim me studentët nga Universiteti i Vizionit Evropian në Pejë, aktivistët e Lëvizjes prezantuan konceptin politik për referendum dhe vetëvendosje. Glauk Konjufca foli për arkitekturën e sistemit antidemokratik të UNMIK-ut dhe kundër iluzionit të demokracisë që është krijuar nëpërmjet IPVQ-ve dhe zgjedhjeve. Ka një korespondim të plotë ndërmjet përmbajtjes antidemokratike të regjimit politik dhe natyrës së proceseve negative në të cilat është katandisur Kosova prej politikanëve servil të Grupit të Unitetit, tha ai. UNMIK-u kontrollon institucionet tona politike, kurse popullin e thërrasin vetëm sa për t’i legjitimuar këto institucione të padrejta nëpërmjet zgjedhjeve. Këto zgjedhje janë zgjedhje për parti politike, për interesat e udhëheqësive të tyre të ngushta, për liderët e tyre të cilët kanë përfitime astronomike personale nëpërmjet keqpërdorimeve të fondeve tona dhe manipulimit të djersës së popullit. Kurse atdheut tonë i duhet një referendum për liri, në të cilin populli ta përcaktonte statusin politik të Kosovës.


Studentët pejanë shprehën zhgënjimin e tyre ndaj partive politike të cilat interesohen për ta një herë në katër vjet, vijnë aty për t’ua marrë votën, japin premtime, dhe nuk realizojnë asgjë, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha fushatat zgjedhore deri më sot. Ata ishin të shqetësuar tejmase me strategjinë servile të Grupit të Unitetit për ta futur Kosovën në negociata me Serbinë. Shumica e studentëve fajësuan Grupin e Unitetit për qorrsokakun politik dhe krizën ekonomike në të cilën është zhytur Kosova. Ata shprehën edhe bindjen e tyre se në Kosovë po krijohet një klimë e vaforshme shoqërore dhe politike për demonstrata masive, prandaj ishin shumë të interesuar për hollësitë e organizimit të demonstratave të ardhshme gjitëpopullore për liri dhe vetëvendosje. Aktivistët Dardan Molliqaj, Ilir Ferizaj dhe Glauk Konjufca iu përgjigjën këtij interesimi.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera