Tryezë me intelektual në Prishtinë

10 Nov 2007

Sot, më 10 nëntor, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezë më intelektualë. Aty u diskutua për situatën aktuale politike, me theks të veçantë në padrejtësitë që po i bëhen popullit të Kosovës duke ia shkelur atij vullnetin dhe interesat, si dhe për atë se kah po shkon Kosova dhe çfarë duhet të bëjë populli për ta shpëtuar vendin.


Tryeza filloi me një minut heshtje për të rënët në Malësinë e Tetovës, heshtje kjo që u propozua nga Sejdi Veseli.


Në fjalën e tij hyrëse, aktivisti i VETËVENDOSJE!-s Glauk Konjufca, u foli të pranishmëve për kronologjinë e largimit juridik të vendimeve politike për Kosovën nga populli i Kosovës prej Marrëveshjes së Rambujesë e tutje. Glauku foli edhe për mashtrimin e qëllimshëm që po i bëhet popullit me miratimin e ligjeve nga pakoja e Ahtisaarit të cilat nga klika politike po quhen bazë e shtetësisë së Kosovës, ndërsa nga OKB-ja po konsiderohen ligje që nuk e cenojnë Rezolutën 1244, rrjedhimisht as sovranitetin e Serbisë. Glauku u përqendrua edhe te zgjedhjet e 17 nëntorit të cilat kanë për qëllim ta drejtojnë vëmendjen kah ato e jo kah malverzimet që po bëhen me të ardhmen e Kosovës, si dhe ta legjitimojnë marrëveshjen e ardhshme me Serbinë.


Më pas fjalën e mori Besim Dumnica i cili çështjen e Kosovës e shihte më shumë si çështje dekolonizimi. Sipas tij është po ky proces i dekolonizimit ai i cili i nevojitet aktualisht më së shumti Kosovës. Pastaj foli Fatos Aliu, i cili intervenimin brutal të policisë më 10 shkurt e konsideroi si shkelje të së drejtës për vetëvendosje. Fatosi tha se është shumë e rëndësishme që të definohen së pari shtyllat e vetëvendosjes si mënyrë e duhur për të ecur para. Sokol Dobruna, ish i burgosur politik nga Gjalova, deklaroi se pas luftës në Kosovë politika është përqendruar në shkatërrimin e asaj që kishte ndërtuar UÇK-ja me luftën e saj. Sipas Sokolit, Lëvizja VETËVENDOSJE!, në bashkëpunim me të tjerët, duhet të gjejnë shtigjet e afrimit të popullit rreth vetes. Njëri prej shkaktarëve kryesor të një lloj letargjie popullore në Kosovë, sipas Sokolit, është papunësia e madhe, e cila në disa raporte ndërkombëtare klasifikohet si sëmundje. UNMIK-u, tha Sokoli, e ka zhvesh popullin e Kosovës nga prona, gjë e cila ka ndikuar në rritjen e përhershme të varfërisë. Intervenimi është i domosdoshëm dhe populli duhet të veprojë sipas vullnetit të vet e jo sipas dëshirës së okupatorit. Hasan Meta, ish aktivist i LPK-së, për ta shpjeguar procesin aktual politik në Kosovë, përdori metaforën e vekut. Ai tha se në Kosovë “penjët janë endur keq, kështu që natyrisht se prodhimi final do të jetë i keq”. Hasani tutje tërhoqi vërejtjen në mospërputhjen mes pritjeve dhe veprimit, për të përfunduar me pyetjen “sa jemi në gjendje ne ta ndihmojmë VETËVENDOSJE!-n në rrugën për materializimin e vullnetit të popullit”. Sabit Gashi nga Lëvizja për Bashkim konsideron se Kosova është duke shkuar drejt një statusi ‘Ahtisaari minus’, i cili sipas tij e ka anën e mirë dhe atë të keqen. E mira është se ky status Kosovën nuk e len të shkojë kah Beogradi, përderisa e keqja është që ky plan nuk e lejon Kosovën të shkoj kah Tirana. Sipas Sabitit përderisa mbetemi të ngërthyer vetëm në Kosovë dhe statusin e saj, kurrë nuk do ta arrijmë lirinë e kërkuar. Prandaj angazhimi dhe çështja duhen kombëtarizuar. Sipas Behxhet Shalës nga KMDLNj marrëveshja për status tashmë është arritur, dhe vetëm është duke u pritur momenti i volitshëm që kjo t’i publikohet popullit të Kosovës. Behxheti e konsideroi si tejet të domosdoshëm identifikimin e qartë të kahjeve që do t’i merrë shoqëria në Kosovë pas vetëvendosjes. Ai tha se protestat nuk po mjaftojnë dhe se duhen gjetur rrugë tjera për ta arritur qëllimin. Njëra prej këtyre rrugëve sipas Behxhetit do të ishte një grevë masive e urisë. Pas Behxhet Shalës fjalën e mori Sami Dërmaku, ish i burgosur politik dhe aktivist politik i mëhershëm, i cili shfrytëzoi rastin për t’i parashtruar një sërë pyetjesh për mënyrën e mobilizimit të popullit dhe për kohën kur do të ishte më mirë të bëhet kjo: tash apo pas marrëveshjes. Agim Vinca, shkrimtar dhe profesor në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në UP, tha se bashkësia ndërkombëtare po e përkdhelë Serbinë. Fushatën parazgjedhore e cilësoi si të pamoralshme përderisa Kosovës si vend ku sundon luksi pa fre dhe varfëria pa pra. Sadri Fetiu, ish drejtor i Institutit Albanologjik, ishte i mendimit se qëllimi i ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ishte kthimi i status quos e jo liria e Kosovës. Këtë Sadriu e argumentoi me deklarimin e zyrtarit të atëhershëm amerikan, Eagleberger, i cili qysh para intervenimit kishte deklaruar se Kosova do ta ketë një autonomi substanciale. Sipas Sadriut çështja shqiptare është problem më afatgjatë. Pastaj fjalën e mori Rrustem Berisha i cili u përqendrua kryesisht në rrugën e ndjekur nga Mali i Zi deri në pavarësi, duke vlerësuar se Malit të Zi nuk arritën t’ia ndalin ushtrimin e së drejtës për vetëvendosje. Arben Hoxha nga Instituti Albanologjik deklaroi se merita më e madhe e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është futja për herë të parë e vetëdijes së qëndrueshme juridike në skenën politike te shqiptarët. Ai, sikur Lëvizja VETËVENDOSJE!, konsideron se dokumentet juridike nuk janë vetëm formalitet dhe se nga to varen kahjet e proceseve politike. Driton Lajçi, kandidat për doktoraturë si dhe aktivist studentor gjatë fundviteve të nëntëdhjeta, e cilësoi bashkësinë ndërkombëtare si të sinqertë e cila përherë na ka treguar se çka është duke iu përgatitur Kosovës. Sipas Dritonit negociatat vetëm e legjitimojnë gjendjen ekzistuese. Sipas tij rifaktorizimi medial i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është çështje thelbësore në aktivitetin e Lëvizjes. Pastaj fjalën e mori Gani Krasniqi nga PDK dega në Malishevë. Ganiu deklaroi se Lëvizjes VETËVENDOSJE! duhet ndihmuar. Nezir Myrtaj e cilësoi Lëvizjen VETËVENDOSJE! si zëri i ndërgjegjjes. Ai ishte i mendimit se lufta duhet përqendruar më shumë kah elita politike e vendit, veçanërisht kah Grupi i Unitetit. Alban Krasniqi nga Rrjeti rinor i Kosovës, e sheh si të domosdoshme shtrirjen sa më të gjerë të aktivitetiti të Lëvizjes nëpër Kosovë. Ai po ashtu deklaroi se duhet të luftohet më shumë AKM dhe politikat e këtij institucioni. Për Albanin është shumë e rëndësishme të përqendrohemi në pikat që na bashkojnë e jo në ato që na ndajnë.


Tryeza përfundoi pas më shumë se 3 orë debat. Tryeza të tilla do të organizohen edhe në të ardhmen.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera