Tubimi me bashkëatdhetarë në München

21 Oct 2007

Të dielën, më 21 tetor 2007, në orën 14:00, në lokalin ‘Max Vorstadt’ Amalienstr. 26 (Schwabing) München, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti një prezentim dhe debat lidhur me aktualitetin politik në Kosovë. Në restaurantin e mbushur përplot me bashkëatdhetar aktivistët Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi bënë një prezentim duke shpjeguar proceset aktuale politike në Kosovë si dhe mënyrën se si duhet të kërkohet zgjidhja nga populli i Kosovës. Liburni shpjegoi konceptin politik të Lëvizjes, duke treguar se si vetëvendosja është zgjidhja dhe shansi për përparimin dhe zhvillimin e Kosovës. Ai foli edhe për projektin e ´eksterritorialitetit´ të kishave dhe manastireve ortodokse si projekt i cili na e uzurpon trashëgiminë kulturore e historike: me realizimin e këtij projekti të cilit i përkushtohet aq shumë Pakoja e Ahtisaarit bëhet deshqiptarizimi i popullit tonë duke e trajtuar trashëgiminë e Kosovës si serbe. Liburni foli edhe për nevojën e organizimit të diasporës, pasi që atë e kanë përçarë skajshmërisht partitë politike. Diaspora nuk duhet të trajtohet vetëm si mekanizëm i cili grumbullon mjete materiale për Kosovën, por ajo duhet të organizohet për përmirësimin e kushteve atje në vendet ku kanë gjetur strehë dhe duhet të ndikojnë në institucionet e vendit ku jetojnë, në radhë të parë për përmirësimin e jetës së tyre atje dhe njëkohësisht edhe për Kosovën.


Aktivisti Hysen Durmishi foli për dy procest tjera gjithashtu shumë të dëmshme për Kosovën e që janë decentralizimi dhe Rikolonizimi e të cilat i janë inponuar popullit të Kosovës pa e pyetur atë. Ai theksoi se përmes decentralizimit krijohet entiteti territorial autonom serb brenda Kosovës duke i mundësuar Serbisë që të hyjë thellë brenda Kosovës në mënyrë që Kosova ta ketë të pamundur daljen e saj nga Serbia. Paralelisht me këtë ndodhë edhe kthimi i serbëve, jo aty ku ata kanë jetuar më parë por aty ku dëshiron Serbia për t’i zgjeruar enklavat dhe për të krijuar vazhdimësinë territoriale të vendbanimeve serbe gjë që nuk është tjetër përpos rikolonizim i Kosovës.


Më pastaj u zhvillua një debat me të pranishmit. Të gjithë ishin të mendimit që duhet të organizohemi e të mobilizohemi dhe në këtë mënyrë t’i parandalojmë këto projekte të dëmshme përderisa kjo është e mundur që të bëhet në mënyrë paqësore sepse në të kundërtën Kosova do të shndërrohet në vatër krize të përhershme. Asisoj Kosova do të jetë me probleme të vazhdueshme dhe gjakderdhje të reja.


München


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera