UNMIK-u manipulon fëmijët!

11 Sep 2007

Në përpjekje për t’i ndalë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! së shpërfaquri fytyrën e vërtetë të UNMIK-ut, përveç arrestimeve e burgosjeve që ky i fundit i ndërrmori ndaj aktivistëve, UNMIK-u tani po manipulon edhe me fëmijët.


Në murin e turpit që ky regjim antidemokratik e ka vendosur, në mënyrë që ta mbrojë veten nga zemërimi i popullit, shpeshherë aktivistët tanë shkruanin parulla të ndryshme në shërbim të vetëdijësimit të qytetarëve të Kosovës. UNMIK-u, në pamundësi që t’i ndalë këta aktivistë me anë të maltretimeve të sipërpërmendura si dhe me anë të fshirjes së parullave tona, kësaj radhe i përdori fëmijët si mburojë njerëzore. Ai i mashtroi ata për të shkruar në atë mur parulla si “I LOVE YOU UNMIK”, “THANK YOU UNMIK”, etj.


Në mënyrë që aksioni ynë të mos kuptohet si kundëraksion ndaj fëmijëve, ne nuk i prekëm pikturat e tyre, vetëm ua bëmë të qartë qytetarëve se çfarë sistemi i poshtër është UNMIK – u.


Më 11 shtator 2007 duke filluar në orën 12:00, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në pjesën e poshtme të murit të UNMIK-ut, shkruam parullët “UNMIK-u manipulon fëmijët”.


Meqë UNMIK-u vazhdon së qëndruari në Kosovë, rrjedhimisht vullneti i popullit tonë shkilet. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë aktivitetin e saj deri në momentin kur ky vullnet të realizohet. Pra, deri në lirinë e plotë të Kosovës.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera