Intelektualët e Besianës, të mllefosur me Pakon e Ahtisaarit

27 Jul 2007

Më 27 qershor duke filluar në orën 18:00, në Besianë u mbajt tryeza e rrumbullakët e organizuar nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë qytet. Në tryezë morrën pjesë profesorë, intelektualë dhe përfaqësues të disa subjekteve politike të Besianës. Aty u diskutua për Pakon e Ahtisaarit dhe dëmet që do të shkaktohen nga kjo. Për dëmet politiko – juridike dhe ekonomike që po i përgatiten vendit tonë nga kjo pako, foli aktivisti Visar Ymeri. Ndërkaq, pas tij fjalën e morri përfaqësuesi i LPK-së Isak Zhitia i cili ndër të tjera tha: “Gabohemi nëse mendojmë që ka marrë fund përpilimi i planeve për zhdukjen e shqiptarëve” duke aluduar në Planin e Ahtisaarit. I pakënaqur për mospjesmarrjen në tryezë të përfaqësuesve të subjekteve të mëdha politike, Hamit Hamiti – ish i burgosur politik, bëri një krahasim në mes të deklaratave të politikanëve të viteve ’89 – ’90 të cilët i mbronin ndryshimet kushtetuese dhe politikanëve të sotëm që po e mbrojnë Pakon e Ahtisaarit. Grupi i unitetit, tha ai, është grup i dështimit.


Në këtë pjesë folën edhe Selman Hoxha, Naim Haziri (LKÇK), Abdullah Lala, Bajram Blaku (historian), etj.


Në pjesën e dytë të kësaj tryeze, Xhelal Sveçla foli për aspektin e sigurisë sipas Pakos së Ahtisaarit, ku u theksua se Forca e Sigurisë së Kosovës që do të krijohet nga kjo pako nuk do të jetë ushtri dhe as që do t’i ngjajë asaj. Ai theksoi se Kosova sipas Ahtisaarit, do të jetë një vend i pasigurtë pasiqë do t’i mungojë ushtria ndërsa, KFOR-i e ka dëshmuar disa herë që nuk do t’i mbrojë qytetarët e Kosovës.


Duke u bazuar në komentet e pjesmarrësve në tryezë, u arrit një konsensus që Pakoja e Ahtisaarit është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën dhe si e tillë ajo duhet të luftohet.


Visar Ymeri në fjalën përmbyllëse i ftoi pjesmarrësit që të marrin pjesë në demonstratën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! më 30 qershor.


Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Besianë

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera