Pakoja e Ahtisaarit – Uzurpuese e trashëgimisë sonë

19 May 2007

Sot, më 19 maj 2007, në Pejë u mbajt tryeza e rrumbullakët, e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! ku morrën pjesë intelektualët, përfaqësuesit e SHDL të UÇK-së, si dhe autoritetet komunale të Pejës.


Tema e tryezës ishte Pakoja e Ahtisaarit, me theks të veçantë në ‘eksterritorialitetin’ e kishave dhe manastireve, problem ky që prek edhe komunën e Pejës.


Brenga e qytetarëve të Pejës, si[ u shprehën pjesëmarrësit e kësaj tryeze, ishte ngritja e murit ndarës rreth Patriarkanës së Pejës i cili ka për qëllim ndarjen e trashëgimisë kulturore nga populli i Kosovës, për ta uzurpuar trashëgiminë dhe pastaj Kosovën. Një fakt i tmerrshëm që u përmend nga zyrtari për mbrojtjen e monumenteve z. Abdyl Hoxhaj ishte se gurët që po përdoren për ndërtimin e këtij muri ishin janë marrë nga kullat shqiptare të shek. XVII të cilat është dashur të jenë nën mbrojtje si monumente kulturore. Kryetari i Komunës, Ali Lajçi, tregoi se me ndërhyrjen e autoriteteve komunale ishte ndërprerë ky ndërtim dhe u premtoi pjeëmarrësve se nuk do të lejojë vazhdimin e ndërtimit. Pjesmarrësit një të tillë e pritën me skepticizëm dhe kritikë, duke qenë se nuk ishte hera e parë që kishin dëgjuar një premtim të tillë. Pas përfundimit të tryezës, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! së bashku me pjesëmarrësit dhe disa qytetarë, marshuan drejt Patrikanës së Pejës. Duke mbajtur parulla që kundërshtonin ‘eksteritorialitetin’ si proces të rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës, aktivistët e përmbyllën këtë marsh protestues me një aksion simbolik duke vënë fasha mbi telat gjemborë (që mbyllin hyrjen te Patrikana e Pejës), të cilët i konsiderojnë si plagë e hapur e Kosovës.


Më pas qytetarëve të Pejës iu shpërnda një trakt, tekstin e të cilit e keni më poshtë.


Pas Manastirit të Deçanit, edhe Patrikana e Pejës po ndahet nga pjesa tjetër e Kosovës me mur. Brenda këtij muri Kisha Ortodokse Serbe (KOS), së cilës i është falur menaxhimi ekskluziv dhe absolut me trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës, ka vendosur të përfshijë edhe një pjesë të madhe të pronës shoqërore të komunës së Pejës. Ky mur po ia uzurpon popullit të Kosovës objektin fetar/kulturor të cilin e ruajtëm dhe mbrojtëm për shekuj të tërë; qytetarëve të Pejës po ia uzurpon tokën më të mirë dhe një ndër rrugët më të dobishme që i kanë.


Muret nuk ndërtohen për ta kushtëzuar integrimin, ato synojnë pikërisht të kundërtën – ndarjen. Berlinit iu ndërtua një mur në mes për ta zyrtarizuar dhe betonuar edhe më tutje ndarjen e qytetit. Muret që po ndërtohen përreth manastireve dhe kishave ortodokse në Kosovë kanë po të njëjtin qëllim, njëlloj të kushtëzuar nga politika. Ato po i ndajnë këto manastire dhe kisha nga populli i Kosovës, dhe po e betonojnë këtë ndarje për t’i serbizuar këto objekte trashëgimie të popullit të Kosovës. Këto mure po e ndajnë popullin shumicë në Kosovë nga e kaluara e tij në këto treva, për t’ia zhdukur shqiptarëve vazhdimësinë historike të jetesës autoktone. E tërë kjo në frymën e pakos së Ahtisaarit. Kjo pako e dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, së bashku me negociatat që i paraprinë dhe mundësuan atë, ia falën Serbisë tërë trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës. Kjo pako dhe këto negociata, përmes pranimit dhe legalizimit të zonave ‘eksterritoriale’, ia mundësuan KOS-it të jetë pronari i vetëm dhe absolut i këtyre objekteve fetare. Në këtë mënyrë KOS-it iu dha e drejta ekskluzive e sovranitetit mbi këto zona. Pikërisht këtë sovranitet po e ushtron KOS-i në zonën e Patrikanës, sovranitet ky që ia lejon që ajo të jetë ligji i vetëm përbrenda zonës, gjë që ia mundëson ekskluzivitetin në marrjen e vendimeve për çfarëdo aktiviteti brenda zonës. Ndërtimi i murit përreth Patrikanës nuk është ilegal, për shkak se legalitetin ia mbrojnë negociatat dhe pakoja e Ahtisaarit. Ky mur është ilegjitim për shkak se është duke u ndërtuar në tokë të huaj pa pëlqimin e pronarit.


Kuzhinierë të procesit të ‘eksterritorialitetit’ për kishat dhe manastiret ortodokse janë Veton Surroi, Ylber Hysa dhe Astrit Haraqia. Ishin këta persona që përgjatë negociatave në Vjenë e shtyen procesin e dekulturizimit dhe deautoktonizimit të shqiptarëve në Kosovë. Prandaj ishin po këta që u obliguan ta mbrojnë këtë krim historik përmes frazave cinike kundër popullit të Kosovës. Thonin se qëllimi i tyre është t’i mbrojnë këto pasuri të Kosovës nga çdo gjë, veçanërisht nga ndërtimet. Ata e bënë veten mburojë të këtyre objekteve kundrejt popullit të Kosovës. Por jo edhe kundrejt KOS-it. Atë nuk e penguan të ndërtojë mure përreth objekteve. Madje angazhimi i tyre në këtë çështje ia mundësoi KOS-it ndërtimin e mureve, për shkak se e mundësuan dhe pranuan ndërtimin e murit përreth tyre (zonën ‘eksterritoriale’). Këta persona, në bashkëpunim me Grupin Negociator, u bënë muri përreth objekteve deri në kohën kur KOS-i e ndërtoi atë fizikisht.


Mitrovicën e kanë ndarë me urë. Pejë po donë ta ndajnë me mur. Kështu Serbia ngadalë po e gllabëron Kosovën. Së pari po e merr territorin dhe trashëgiminë kulturore e historike. Pastaj do e mbush këtë territor me kolonë të rinj serbë. Pas kolonizimit, që e ndryshon radikalisht realitetin demografik në terren, dhe duke e mbajtur përherë argumentin historik të uzurpuar, Serbia ka për qëllim ta kthejë Kosovën nën kthetrat e saj hegjemoniste. Kjo që ka filluar në Mitrovicë, Pejë e Deçan do të shtrihet edhe në pjesët tjera të Kosovës. Gradualisht asnjëri nga ne nuk do të shpëtojë. Shpëtimin e kemi të mundshëm vetëm tash, përmes organizimit dhe kundërshtimit të palëkundur të këtij kanceri të quajtur pakoja e Ahtisaarit. Shpëtimin e kemi duke e bërë Mitrovicën Pejë, jo Pejën Mitrovicë. Kosovës duhet t’i bashkohet i tërë territori i saj. Shqiptarët nuk kanë më tokë për të dhënë. Këtë duhet ta dijnë të gjithë. Kështu duhet të veprojnë të gjithë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera