3 aktivistë arrestohen në Prizren

21 Apr 2007

Sot në Prizren janë arrestuar edhe tre aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Këta janë: Faruk Dakaj, Luan Hoti dhe Kushtrim Dakaj. Këta të tre janë arrestuar nga SHPK natën kah ora 21:30, dhe janë dërguar në stacionin e policisë.


Aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ua kishin shkruar sot gjatë ditës veturave të UNMIK-ut parullën ‘VRASËS’. Vrasës për shkak se është UNMIK-u ai që e urdhëroi dhe ekzekutoi vrasjen e dy të rinjëve shqiptarë, dhe plagosjen e 80 të tjerëve në demonstratën e 10 shkurtit në Prishtinë. Në Kosovë na qenka krim nëse e thua të vërtetën. Ata që vranë, ata që urdhëruan vrasjen dhe ata që paturpësisht e mbrojtën dhe lavdëruan atë janë të gjithë të lirë. Madje edhe ulen në kolltuqet institucionale dhe jetojnë shumë mirë me paratë e këtyre qytetarëve që i vranë. Por, nëse këta qytetarë vendosin t’ua shpërfaqin të vërtetën kriminale publikisht, policia bën çmos dhe i arreston ata. Pastaj gjykata bën çmos dhe i mban ata në burg. E tërë kjo për ta mbajtur të gjallë një regjim i cili e ka të pamundur të qeverisë ndryshe. Regjimi i UNMIK-ut dhe kukullat nga Kosova nuk mund të qëndrojnë atje lartë pa i shtypur këta poshtë, për shkak se janë jolegjitim dhe jodemokratik. Prandaj, dhuna atyre u shërben si mjet i anashkalimit të këtyre problemeve me legjitimitet dhe demokraci. Ata sundojnë e nuk qeverisinë. E sundimi bëhet përmes vrasjeve, arrestimeve, rrahjeve, maltretimeve, fyerjeve e vjedhjeve. Derisa sundimin mbi vendin të mos e marrë ne duar populli, pa misione e pa misionarë. Derisa të bëhemi plotësisht të lirë. Deri në vetëvendosje.


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera