‘Lirojeni Albinin!’

13 Apr 2007

Sot, në orët e vona të pasdites, pjesëtarët e SHPK-së arrestuan dhunshëm 19 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.


Aktivistët po shkruanin parullën ‘Lirojeni Albinin!’ dhe ‘Free Albin!’ në murin i cili rrethon selinë qendrore të UNMIK-ut dhe okupon hapësirën tonë publike. Tashmë është bërë e qartë që aty ku nuk ekzison liria e popullit, aty humb edhe liria e të shprehurit. Përderisa UNMIK-u po i arreston demonstruesit paqësorë vetëm pse po kërkojnë vetëvendosje, ky regjim po arreston edhe ata të cilët po kërkojnë lirimin e të burgosurve politik. Kosova të cilën e ka krijuar UNMIK-u ka vend vetëm për kriminelët të cilët vrasin demonstrues, por nuk ka vend për qytetarët e organizuar të cilët kërkojnë liri e vetëvendosje për popullin e Kosovës. UNMIK-u, pra, jo vetëm që ka ndaluar dhunshëm të drejtën e popullit për vetëvendosje: ai tashmë ka filluar edhe shtypjen sistematike të artikulimit të kësaj të drejte. Kur Kosova ishte e pushtuar nën Jugosllavinë e Titos, jo vetëm që mohohej e drejta për vetëvendosje për popullin e Kosovës, por madje, shqiptarët burgoseshin vetëm pse e shkruanin parullën ‘Kosova Republikë’. Atëherë burgoseshe vetëm pse kërkoje barazi me popujt tjerë. Sot burgosesh për po të njëjtën kërkesë – vetëm pse kërkon që populli i Kosovës të vendosë për fatin e tij në referendum, ashtu siç kanë të drejtë të gjithë popujt e botës; dhe vetëm pse kërkon lirimin e të burgosurve politik.


Të arrestuarit janë: Xhelal Sveçla, Visar Ymeri, Salih Zyba, Mirjeta Hetemi, Zenel Lenjani, Florim Haxholli, Atdhe Buja, Bahrie Ademi, Arben Ibrahimi, Brahim Thaçi, Avni Sulejmani, Flamur Zhitia, Lirim Gashi, Frashër Krasniqi, Fadil Berisha, Lulzim Gjaka, Alban Bislimi, Valdrin Mehmeti, Zgjim Hyseni e Blerim Maqastena. Ky i fundit është goditur fizikisht në mënyrë brutale prej policit Naim Fazliu, me numër identifikues 7232. Policët tjerë të cilët arritëm t’i identifikojmë, e të cilët u shquajtën për sjellje të dhunshme ndaj aktivistëve, qenë policët Adem Kapiti (7303) Altin Pllana (7764) e Hatixhe Potera (4008).


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera