Demonstrata gjithëpopullore

10 Feb 2007

Në konferencën tonë për shtyp, të mbajtur më 28 janar 2007, Lëvizja VETËVENDOSJE! shpalli datën e demonstratës së ardhshme gjithëpopullore. Në konferencë morën pjesë aktivistët e Lëvizjes Visar Ymeri, Albin Kurti e Glauk Konjufca.


Albini, Visari e Glauku para gazetarëve të pranishëm shpjeguan arsyet dhe qëllimet politike të demonstratës. Pakoja e Ahtisaarit dhe Grupi kolaboracionist Negociator i Kosovës ishte tema boshtore e konferencës. Kjo pako do të jetë dokumenti i ardhshëm ndërkombëtar i cili fundamentalisht ia shkel popullit të Kosovës vullnetin politik. Glauku tha që pakoja e Ahtisaarit do ta përmbajë kompromisin e dëmshëm të arritur deri tash ndërmjet Grupit Negociator të Kosovës me Serbinë. Kompromisi përmban tri projekte që rrezikojnë të ardhmene vendit tonë: decentralizimin që po na copëton si territor, ‘eksterritorialitetin’ që po na delegjitimon si popull autokton si dhe rikolonizimin që po na e krijon entitetin territorial serb brenda Kosovës. Këto tri projekte fundosin mundësinë e sovranizimit të Kosovës.


Albini foli për 6 asimetritë e patolerueshme të pakos së Ahtisaarit. Së pari, kjo pako nuk merr fare parasysh vullnetin politik të më shumë se 90% të qytetarëve të Kosovës. Pakoja e Ahtisaarit merr parasysh vetëm të drejtat e pakicës serbe dhe ato të Serbisë. Prandaj pakoja e tij është pako serbe. Së dyti, trashëgiminë kulturore të Kosovës pakoja e definon si ‘trashëgdimi kulturore serbe’. Më pas, komunave të reja me shumicë serbe që i parasheh decentralizimi pakoja u jep kompetenca ekskluzive deri edhe në nivelin e arsimit të lartë. Në institucionet e tyre arsimore, lufta e UÇK-së do të mesohet si luftë terrorista. Kjo është e padurueshme. Përveç kësaj, misioni i ardhshëm ndërkombëtar i cili nuk është tjetër veçse një UNMIK i radhës, do t’i ketë të gjitha kompetencat e UNMIK-ut. Fakti që tregon se edhe ky mision do ta konsiderojë Kosovën të ndarë së brendshmi, kurse së jashtmi si pjesë të Serbisë është struktuva e këtij misioni: një zyre e ICM-së do të themelohet për veri, e një tjetër në Beograd! Asimetria e pestë ka të bëjë me borxhin që i ngarkohet popullit të Kosovës. Serbia ishte ajo që na okupoi, ajo që na vrau, ajo që na dhunoi e shkatërroi. Në vend që të përcaktohen dëmet e luftës për të cilat Kosovo duhet të zhdëmtohet, pakoja e Ahtisaarit po na ngarkon me borxhin 1.100.000.000€ njëkohësisht duke na e mohuar lirinë. Në fund fare, ajo çka e bën këtë pako krejt armiqësore dhe antishqiptare është shpërbërja e strukturave të TMK-së dhe reduktimi i zonave në 3 nga 6 sa janë sot.


Visari foli për problemin e ‘shumicës së dyfishtë’. Pakoja e Ahtisaarit parasheh zbatimin e të ashtuquajturës ‘shumicë e dyfishtë’ për funksionimin e ardhshëm të parlamentit. Kështu që, për ta nxjerrur një ligj nevojitet shumica e deputetëve, plus shumica e deputetëve të pakicave. Meqë deputetët serbë përbëjnë shumicën e numrit të deputetëve të pakicave dhe meqë janë të instrumentalizuar prej Beogradit, ata do ta mohojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Perderisa ky parlamanti i sotëm mund ta shpallë pavarësinë, por ajo të mos zbatohet, parlamenti i pakos së Ahtisaarit bile as që do të mund ta shpallë pavarësinë.


Demonstrata jonë do të organizohet kundër kësaj përmbajtjeje të dëmshme të pakos. Demonstrata jonë drejtohet kundër pakos së Ahtisaarit dhe Ahtisaarit. Kundër Grupit kolaboracionist Negociator të Kosovës dhe kundër negociatave me armikun tonë, Serbinë. Kundër entitetit territorial serb dhe Misionit Civil Ndërkombëtar. Për vetëvendosje.


Demonstrata fillon në orën 14:00 para selisë së VETËVENDOSJE!-s në Qytetthin Pejton.


Pyetjet e gazetarëve


Pyetja: A do të jetë demonstrata e qetë?


Përgjegjja e VETËVENDOSJE!-s: Si qytetarë të Kosovë, për shkak të rrethanave ekzistuese politike dhe ekonomike, ne domosdoshmërisht jemi njerëz të shqetësuar. Dhunë në këtë demonstratë nuk do të ketë, siç nuk ka pasur asnjëherë në demonstratat e organizuara nga Lëvizja VETËVENDOSJE!. Më 28 Nëntor ne nuk ushtruam kurrfarë dhune ndaj njerëzve. Ndaj objekteve nuk mund të ushtrosh dhunë. Vetëm ndaj subjektit mund të ketë dhunë, meqë vetëm subjekti mund të bëjë rezistencë. Aq më tepër që ne në thelb nuk vepruam me forcë as kundër objekteve, por kundër simboleve që ato përfaqësonin. Sikur dikush nga kinseinstitucionet të kishte ndërhyrë kundër nesh, vetëm atëherë do të kishte dhunë, meqë në atë rast ne ishim subjekt që mund t’i rezistojë fuqisë së tyre.


Pyetja: A do të jetë demonstrata paqësore?


Përgjegjja e VETËVENDOSJE!-s: Protesta do të jetë edhe më paqësore se sa ajo e 28 Nëntorit.


Pyetja: Cilat janë detajet e demonstratës?


Përgjegjja e VETËVENDOSJE!-s: Janë dy arsye pse këtë nuk mund ta bëjmë publike në këtë kohë: ne ende jemi në diskutim e sipër dhe definim e sipër të aktiviteteve që do të zënë vend gjatë demonstratës së 10 shkurtit; së dyti, skenarin nuk mund të bëjmë publik për shkak se në atë mënyrë atë do ta merrte vesh policia, e cila, duke qenë instrument i kësaj politike, pra kundër vullnetit të popullit, do ta pengonte demonstratën.


Pyetja: Ndërtesat e institucioneve janë ndërtuar me tatimet e popullit. Si ndiheni ju pas thyerjes së xhamave të këtyre ndërtesave?


Përgjegjja e VETËVENDOSJE!-s: Të gjitha shpenzimet bëjnë më pak se një gjysëm xhipi nga dhjetëra sosh të panevojshëm që i kanë blerë ‘IPVQ’-të! Pse gjithë ky shqetësim?! Thyerja e këtyre xhamave ka sjell një pah edhe një problem tjetër – çmimin e lartë të tyre. Qeveria për ndërtesën e saj kishte blerë xhama aq të shtrenjtë, riparimi për vetëm 17 prej të cilave kushtoi mbi 32 mijë euro. Si u bë që populli i varfër i Kosovës të paguajë për xhama aq të shtrenjtë?


Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera