Tubim me qytetarë në Hodonoc të Dardanës

04 Feb 2007

Sot, më 4 shkurt 2007, në fshatin Hodonoc, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tubim dhe debat me qytetarë. Tubimi u mbajt në shkollën e fshatit duke filluar në orën 17:00. Në këtë debat nga aktivistët e Lëvizjes të pranishëm ishin Vaxhid Rexhepi, Vedat Xhymshiti, Mirjeta Hetemi e Hysen Durmishi.


Të pranishmëve në këtë tubim iu drejtua aktivisti Hysen Durmishi i cili bëri një zbërthim të pakos së Ahtisaarit. Ai theksoi se pakoja jo vetëm që nuk i referohet askund pavarësisë, njëkohësisht e pamundëson krijimin e shtetit sovran. Realizimi i decentralizimit, kompetencat e mëdha në këto komuna e mundësojnë krijimin e entitetit serb brenda territorit të Kosovës. Pakoja mundëson që shkollat dhe fakultetet në komunat e reja me shumicë serbe të punojnë me planprograme të hartuara nga ministria e arsimit të Serbisë dhe pa llogaridhënie ndaj institucioneve qendrore të Kosovës. Shumica e dyfishtë në Parlamentin e Kosovës pamundëson miratimin e ligjeve dhe amandamenteve kushtetuese, pra do të pamundësohet funksionimi i institucioneve. Kjo pako parasheh shpërbërjen e TMK–së brenda një viti dhe nuk parasheh formimin e ushtrisë për Kosovën. Kjo pako ua mundëson kthimin në Kosovë edhe refugjatëve serbë të Kroacisë e Bosnjes, të cilët Milosheviqi i solli në Kosovë gjatë luftërave atje. Pra kjo nuk është tjetër pos rikolonizim i Kosovës. Hyseni përmes videoprojektorit prezentoi edhe projektet e Serbisë për Kosovën dhe ofertat e grupit negociator të Kosovës në negociatat në Vjenë.


Në fund u zhvillua një debat me të pranishmit dhe ata shprehën zhgënjimin e madh me institucionet e Kosovës e sidomos me Grupin Negociator të Kosovës. Përfundim i përgjthshëm i këtij debati ishte se zgjidhja është jashtëinstitucionale, prandaj duhet mobilizim e organizim për demonstrata masive kundër këtyre projekteve të dëmshme për Kosovën.


Qytetarët e Hodonocit shprehen gatishmërinë që të marrin pjesë në demonstratën e 10 shkurtit dhe në demonstratat tona të ardhshme deri në çlirimin përfundimtar nga Serbia.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Dardanë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera