Me Ajet Poteren kryetar, Besiana do të kthehet nga e mbara

15 Nov 2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti gjatë ditës së sotme tubim zgjedhor në Besianë. Në hapje të tij, ku të pranishëm ishin edhe Kryetari Visar Ymeri dhe deputeti Albin Kurti, kandidati për kryetar, Ajet Potera, ka thënë se sot po rikonfirmohet edhe një herë fuqishëm, përkushtimi ynë për ndryshim. Ai u zotua se qeverisja komunale e tij do jetë bashkëqeverisje me qytetarët, duke shtuar se bashkë jemi më të fortë, më të mençur, më të drejtë, më përgjegjës për fatin tonë dhe të fëmijëve tanë, e të sotmen dhe të ardhmen e tyre.

“Zotohemi se përkushtimi për punë dhe suksese nuk do jetë vetëm ca ditë në fund të mandatit, por gjatë gjithë kohës, çdo ditë; nuk do jetë i njëkahshëm vetëm në infrastrukturë rrugësh e trotuaresh, por do jetë i gjithanshëm, në të gjitha sferat e jetës, në të gjitha preokupimet tona si qytetarë. Zotohemi se tërë kapaciteti ynë do jetë në shërbim të njerëzve të zakonshëm, pa asnjë dallim, pa shikuar bindjet dhe përcaktimet e tyre, sepse ju jeni ata që na mbështetni, ju jeni ata që na mundësoni t`i shpalosim mundësitë dhe vlerat tona”, ka shtuar tutje ai.

Potera theksoi se koalicioni më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i sinqertë është ai me qytetarët, duke shprehur besimin e thellë në vlerat qytetare e kombëtare të bashkëqytetarëve të tij, me ç’rast i ftoi ata që me 19 nëntor të bashkohen në ndryshim.

“Na duhet mbështetja juaj më 19 nëntor, nevojitet bashkimi i mundësive tona e tuaja për për ta ndryshuar jetën tonë, për ta ndryshuar qasjen e qytetarit ndaj pushtetit e të pushtetit ndaj qytetarit, për ta ndryshuar relacionin e komunikimit të këtyre faktorëve esencialë, për ta instaluar barazinë në çdo aspekt dhe në çdo lëmi, për t`i eliminuar ndasitë sipas përkatësisë politike a ndonjë përkatësie tjetër. Që t`i realizojmë këto iu bëj thirrje të gjitha shtresave shoqërore, të gjitha kategorive profesionale, të gjitha bindjeve e koncepteve të ndryshme, që më 19 nëntor të jemi bashkë, të jemi me ndryshimin dhe për ndryshimin, të jemi në lartësinë e duhur të detyrës e të aspiratës për të ardhmen, në mënyrë që më 20 nëntor mos ta ndjejmë zhgënjimin ndaj vetes sonë, mos ta ndjejmë vështrimin  gjykues të fëmijëve tanë”, ishte thirrja e Poteres për bashkëvendasit.

Arsim në funksion të dijes dhe zhvillimit, bujqësia, sipërmarrja e turizmi që mundësojnë zhvillim e punësim dhe kujdes e shëndetësi publike për të gjithë, ishin zotimet kryesore të shpalosura për Besianën nga Potera. Me këtë rast, për fushën e arsimit ai u zotua për departizimin e institucioneve arsimore, për investim në pajisje shkollore e ndërtim të kabineteve, këndeve të leximit e  bibliotekave, digjitalizimin e bibliotekave shkollore dhe angazhim për hapjen e profileve profesionale. Në bujqësi, Potera u zotua për mbështetjen e sipërmarrësve, të fermerëve e bujqve, si dhe të projekteve për turizmin natyror e turizmin kulturor. Kurse, sa i përket shëndetësisë, ai tha se vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit në çdo shkollë dhe ligjërimet mbi kujdesin shëndetësor do të jenë prioritare, sikurse edhe përmirësimi rrënjësor dhe riorganizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe ambulancave.

“Më 19 Nëntor të jemi bashkë; me ju njerëz të punës e të djersës, me ju njerëz të sakrificës për lirinë tonë, me ju njerëz të penës e të dijes, me ju të rinjë e të reja që jeni shpresa jonë dhe e ardhmja jonë, me ju të moshuar që jeni eksperienca, pjekuria dhe dinjiteti i këtij vendi, me ju nëna e motra që jeni krenaria e jetës. Të jemi bashkë për një fillim ndryshe; që të përfundojë koha e mentalitetit të vjetruar, mentalitetit anakronik për jetën, që të marrë fund trajtimi selektiv i qytetarëve, përçmimi i profesionistëve, përbuzja e luftëtarëve, cinizmi ndaj të rinjëve, mospërfillja e të moshuarëve, injorimi i punëtorëve e prodhuesëve tanë, shantazhimi i bizneseve”, th po ashtu ai.

Në fund të fjalës së tij, ai u shpreh se 19 nëntori është shansi i ngadhnjimit të konceptit modern në raportet jetësore, në qeverisjen e komunës, në trajtimin e prioriteteve, në administrimin e resurseve, në zhvillimin e përgjithshëm të kësaj treve dhe në ngritjen e cilësisë së jetës të qytetarit tonë. Ai e quajti këtë datë moment të fitores së dijes së mendjes dhe dashurisë së zemrës.

Në anën tjetër, Kryetari Visar Ymeri tha se 11 qershori dhe 22 tetori treguan se Llapi është i vendosur për ndryshim. Ai shtoi se në këto zgjedhje, ai i cili përfaqëson ndryshimin është Ajet Potera, për të cilin ka thënë se ka përvojë jetësore e politike, praktike e intelektuale dhe akademike e profesionale.

“Prej shkollës së mesme në angazhim politik. Prej angazhimit politik në luftë çlirimtare. Prej luftës çlirimtare në ndërtim të institucioneve në TMK. Prej TMK-së e gjatë shërbimit aty në fakultet. Prej TMK-së e fakultetit ekonomik në FSK. Prej FSK-së e gjatë shërbimit aty në Master në Akademinë e Mbrojtjes ‘Spiro Mojsiu’ në Tiranë. Prej Akademisë së mbrojtjes në Shkollimin Ndërkombëtar për Shtab të Përgjithshëm dhe Siguri Evropiane, në Akademinë Ushtarake Gjermane në Hamburg dhe në Bruksel. Prej Shkollimit ndërkombëtar në sektorin privat si drejtor në Fabrikë prodhimi. Çfarë përvoje! Dhe kjo natyrisht që e ka kalitur Ajetin për një kryetar të jashtëzakonshëm të Podujevës”, ka thënë Ymeri duke folur për kandidatin për kryetar, Ajet Potera.

Tutje, Ymeri tha se Potera ka dijen, vizionin, guximin, vendosmërinë, ndershmërinë, sinqeritetin, përkushtimin, përvojën në sektorin publik e privat, përvojën në angazhimin politik e në ndërtimin institucional, përvojën në shërbim për qytetarët dhe përvojën në prodhim për ekonominë. Kurse, shprehu bindjen e plotë se Ajeti është gati, dhe më pas pyeti edhe qytetarët e pranishëm në tubim nëse janë gati për ndryshimin që sjellë zhvillim në Besianë.

“Ajeti është përgjigje për zhvillimin, punën e mirëqenien e Besianës. Ajeti gjithmonë i është përgjigjur detyrave kombëtare e qytetare. Në paqe si punëtor, në luftë si ushtar, e kysmet pas 19 nëntorit si kryetar. Ajeti nuk të pyet, pa e menduar përgjigjen vet. Ajeti nuk thërret nese nuk është nisur vet. Ajeti me Besianën, Besiana bashkë me Ajetin. Rreth numrit 10. Bashkim për fitore. Me Ajetin kryetar, Besianës do t’i ecë mbarë”, ishte porosia e kryetarit Ymeri në Besianë.

E, deputeti Albin Kurti, tha se Ajet Potera nuk është njeri i fjalëve, por i veprave. Ai ka shtuar se Potera di ta strukturojë qytetin edhe fshatin dhe shprehu bindjen se ai do ta vendosë rregullin në komunë.

“Ajet Potera është ekonomist dhe ushtarak. Përveç fakultetit ekonomik në Prishtinë dhe akademisë ushtarake në Tiranë, Ajeti është përzgjedhur për t’u specializuar për Siguri Evropiane nga NATO, dhe e ka kryer këtë specializim në Hamburg e në Bruksel, në akademitë e NATO-s”, ka thënë deputeti Kurti, duke folur për Poteren.

“Ajeti nuk bën shpenzime të kota, por kursen dhe kursimet i përdor për të përmirësuar shërbimet komunale. Ajeti është bir i Llapit, që ka luftuar dhe është plagosur për Kosovën. Ai e ka dashur dhe e do këtë vend, siç ka treguar edhe angazhimi pas luftës si oficer i lartë i TMK-së dhe i FSK-së. Ai nuk ikë në luftë dhe ai nuk vjedh në paqe. Ajeti shërben në luftë e në paqe, për popull”, kanë qenë fjalët e Kurtit për Ajet Poteren gjatë këtij tubimi.

Më tej, Kurti tha se tash është koha që Ajet Potera ta kthejë Llapin nga e mbara, duke potencuar se Llapi nuk ka nevojë për kryetarë që fitojnë me duart në xhepat e veta dhe qeverisin me duart në xhepat e qytetarëve.

“Të gjithë qytetarët duhet të bashkohen për ndryshimin në Llap. Edhe votuesit e PDK-së, AAK-së, e partive të tjera duhet t’ia japin votën Ajet Poterës, bashkëluftëtarit të tyre. Llapi nuk është bastion i askujt. Askush nuk mund të tallet me Llapin. Askush nuk mund ta mashtrojë Llapin. Askush nuk mund të vazhdojë ta vjedhë Llapin. Askush nuk mund ta lërë Llapin të prapambetur”, tha po ashtu Kurti.

“Telefononi miqve e kushërinjve, komshijve e kolegëve, tregojuni se tash është koha të bashkohemi të gjithë rreth Ajetit. Tash është koha ta bëjmë të pamundurën të mundur.Tash është koha ta fitojmë betejën. Ta shfryjmë balonin me mustaqe, e t‘I japim frymë Besianës me Ajetin. Të gjithë për Ajetin, e Ajeti për të gjithë Podujevën, sepse Ajeti e do dhe e respekton Llapin, Ajeti e ruan dinjitetin dhe traditën e të moshuarve, Ajeti e hap rrugën për zhvillimin dhe përparimin e të rejave e të rinjve. Prandaj burra e gra, të rinj e të moshuar, studentë, punëtorë, të papunë, fermerë, mjekë, inxhinierë, të gjithë ju llapjanë të ndershëm e trima, të dielën bëhuni me Ajetin”, ka qenë thirrja e Kurtit për llapjanët, me të cilën është përmbyllur tubimi në këtë komunë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera