Ndryshimin në Gjilan e mundëson vetëm qeverisja e Sami Kurteshit

16 Nov 2017

Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore në kuadër të balotazhit, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur tubimin e radhës zgjedhor në Gjilan, ku të pranishëm ishin Kryetari Visar Ymeri dhe deputeti Albin Kurti. Kandidati për kryetar, Sami Kurteshi, e ka hapur tubimin duke theksuar nevojën për ndryshim. Ai ka potencuar se ky ndryshim mundësohet nga një program i mirëfilltë, për të cilin tha se VETËVENDOSJE! e ka prezantuar nëpër takimet e tubimet e shumta në gjitha lagjet e fshatrat e Gjilanit.

“Prioriteti numër një është se do t'ia heqim kundërmimin Gjilanit me sistem kanalizimesh dhe impiantesh moderne. Ky është prioriteti ynë kryesor, pasi ky është shqetësim i të gjithëve banorëve të komunës tonë, është shqetësim i imi dhe i juaji, në lagjet e qytetit dhe në fshatrat e Komunës së Gjilanit”, tha që në fillim të fjalës së tij Kurteshi, duke premtuar tutje investim prej 10 milionësh për zgjidhjen e kësaj çështjeje, konkretisht ndërtimin e 5 impianteve nëntokësore për përpunimin e ujërave të zeza në fshatra dhe 5 të tjerave në lagjet e qytetit të Gjilanit, mbi të cilat do të ndërtohen parqe me gjelbrim, e do të mbillen drunj e lule”, tha Kurteshi.

Si prioritet i dytë, Kurteshi tha se është që Gjilani të bëhet komunë për të ardhmen, pra fëmijë e të rinjët, me ç’rast shprehu zotimin për nëdertimin e dy shkollave të reja, katër çerdheve, pesë parqeve dhe 10 terreneve sportive në lagjet e fshatrat e Gjilanit. 

“Prioriteti ynë i tretë është transporti publik i standardizuar. Ne do të investojmë 4.8 milion euro që ta modernizojmë transportin publik në Gjilan, dhe që t'i lidhim fshatrat me qytetin me autobusë modernë me standarde të larta evropiane. Plani im qeverisës dhe i Lëvizjes Vetëvendosje për rregullimin dhe standardizimin e transportit publik do t’i lidhë 95% të fshatrave të Gjilanit me qytetin, si dhe do të shërbejë edhe për transport mes lagjeve. Mobiliteti urban është hap i madh drejt zhvillimit. Autobusët do të kenë orare fikse, të parashikueshme dhe do të jenë të rinj. Një linjë do t’i ketë 3 autobusë, e në Komunën e Gjilanit do të jenë 7 linja” është zotuar Kurteshi më tutje.

“Këto janë tre prioritetet tona kryesor: uji i pastër, shkolla me dije dhe transporti publik, të cilat së bashku janë investime prej 20 milionë eurosh. Ne e kemi mundësinë, i kemi mjetet, dhe unë e kam përvojën dhe kontaktet e duhura për t'i siguruar këto investime, që do ta zhvillojnë të gjithë Gjilanin, dhe asnjë banor i Komunës së Gjilanit nuk do të mbetet pa u prekur nga ky zhvillim”, tha po ashtu Sami Kurteshi.

Kurteshi theksoi po ashtu se vendimi i tij i parë si kryetar do të jetë ndarja nga 100 euro për secilën nënë që lind fëmijë në Komunën e Gjilanit, si ndihmë për të përballuar shpenzimet e një lindjeje dhe dhuratë që Komuna ia bën një qytetari të ri të sapolindur në këtë komunë. E, më tej, u zotua për bashkëpunim të ngushtë me mërgatën, duke u zotuar se gjatë mandatit e tij do të krijohet një Zyra Komunale për bashkëpunimin me mërgatën.

“Po ashtu, plani jonë zhvillimor mendon edhe për fermerët, blegtorët, bujqit, pemëtarët, bletarët gjilanas. Ne do ta rindërtojmë tregun e gjelbër, të modernizuar. Prodhuesit tanë gjilanas, nga fshatrat e Gjilanit, do të kenë mundësi të vijnë çdo ditë që të shesin prodhimet e tyre. Tregu i ri i gjelbër, do të jetë me kushte higjienike e me standarde teknik e estetike të pakrahasueshme, që edhe të huajt do të vijnë të bëjnë foto aty, aq bukur do të duket, e jo si tani të turpërohen me gjendjen e mjerueshme”, ishte zotimi tjetër i Sami Kurteshit për Gjilanin, ndërsa në fund, ai ka ftuar gjithë qytetarët pa dallim që në ditët e mbetura të angazhohen për ndryshim me 19 nëntor.

Pas Kurtesht, në fillim të fjalës së tij, Kryetari Visar Ymeri, i ka pyetur gjilanasit nëse janë gati dhe janë bërë bashkë për ndryshim me 19 nëntor. Ai ka thënë se Gjilani e ka të lehtë zgjedhjen, pasi që kur në fletvotim e ke Sami Kurteshin të parin, nuk ka më fare rëndësi se kush është tjetri pas tij.

“Samiu ka ka studiuar në vitet 1978 - 1981 pranë Universitetit të Prishtinës në degën e Elektroteknikës. Më tej, ne vitet 1998 - 2006, ai ka kryer studimet në Universitetin e Bernit, Zyrihut dhe të Gjenevës në Zvicër, dhe ka nisur doktoraturën në UNIZH/ETH në Zyrih. Sami Kurteshi ka qenë anëtar i Kryesisë, e më vonë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë, prej vitit 1991 deri në vitin 1996. Ai e ka pëfaqësuar KMDLNJ-në në Komisionin dhe Nën-Komosionin e të Drejtave të Njeriut dhe në Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit Racial (CERD) pranë OKB-së në Gjenevë në vitet 1992-1996. Sami Kurteshi ka shërbyer si Avokat i Popullit në Republikën e Kosovës nga viti 2009 deri në vitin 2015”, ka thënë Ymeri duke folur për Kurteshin.

Ymeri është ndalur tek koha kur Kurteshi ka qenë Avokat i Popullit, duke përmendur përkushtimin e tij për shtet ligjor e social dhe barazi e sundim të ligjit. Ai tha se angazhimi i tij gjatë kësaj kohe sikurse edhe më herët, por edhe tani, flet për integritetin dhe vendosmërinë që e karakterizon Sami Kurteshin. Ai shtoi se Kurteshi nuk u zmbraps kurrë nga trysnia dhe nuk ia mbajti anën përfitimeve të pushtetit, por barazisë së qytetarëve.

“Gjilani ka nevojë për ndryshim, që të bëhet një komunë për qytetarët, që të qeveriset në mënyrë të ndershme, që ta ketë hapësirën publike për qytetarin, që ta ketë tregun për bujkun, që ta ketë mjedisin për shëndetin, e sistemin për shërimin, që ta ketë shkollën për nxënësin, e prodhimin për punëtorine e konsumatorin”, tha po ashtu Ymeri, duke potencuar se kjo mundësohet me Sami Kurteshin.

“Kjo vjen nga Samiu, nga përvoja e tij, nga dija e tij, nga programi i tij, nga vullneti i tij, nga përkushtimi i tij, nga vendosmëria e tij, nga guximi i tij, nga sinqeriteti i tij, nga ndershmëria e tij, nga integriteti i tij, nga profesionalizmi i tij, nga modestia e tij, nga urtësia e tij, nga përvoja e tij, nga intelekti i tij”, theksoi Visar Ymeri, për ta përfunduar fjalën e tij duke e quajtur Sami Kurteshin njëri punëtor e solidar, e duke ftuar qytetarët ta mbështesin për kryetar në garën e balotazhit që mbahet me 19 nëntor.

Ndërkaq, deputeti Albin Kurti ka se nuk është pushteti për personin jo të duhur, por njeriu i duhur është për pushtet. Ai shtoi se Sami Kurteshi e meriton numrin 10 dhe notën 10, pasi që tha se ai e ka dijen, nderin, guximin dhe se është punëtor i madh.

“Prandaj, edhe ata që nuk kanë votuar më herët, duhet ta votojnë tash Sami Kurteshin. Edhe ata që kanë votuar PDK-në, AAK-në, PD-në, NISMA-n, apo partitë tjera, duhet ta votojnë Sami Kurteshin. Janë mbi 30 mijë nënshkrime në peticionin kundër decentralizimit etnik. Shumë prej tyre që nënshkruan ishin anëtarë ose votues të PDK-së. Ata duhet ta votojnë Sami Kurteshin dhe numrin 10 për t’i qëndruar besnik atij peticioni, për t’i qëndruar besnik vetes së tyre”, porositi Kurti gjilanasit.

Më tej Kurti ka listuar 47 arsye pse nuk duhet votuar Lutfi Hazirin, duke përmendur fillimisht decentralizimin mbi baza etnike, për të cilin tha se është themeli i “Zajednicës”. Ai fajësoi Hazirin për përgjysmimin e territorit të Gjilanit dhe heqjen e 12 zonave kadastrale të këtij qyteti, si dhe numëroi fshatrat pa të cilat Gjilani mbeti si pasojë e procesit të decentralizimit.

Në mesin e këtyre arsyeve, Kurti përmendi edhe ndotjen e lumenjve, mbylljen e Shkollës së Bujqësisë, keqpërdorimin e parasë publike, mungesën e ujësjellësit dhe kanalizimit në qytet e fshatra, kushtet e këqija në shkolla dhe mungesën e laboratorëve dhe bibiliotekave në to, punësimet me libreza partie, kushtet e këqija në treg të gjelbërt, mungesën e terreneve sportive dhe parqeve, mungesën e çerdheve, gjendjen e rëndë në qendrat e mjekësisë familjare, mungesën e subvencioneve për bujqit, papastërtinë në qytet, blerjen e votave, degradimin e kinemasë dhe shndërrimin e hapësirës së saj në parking, dallaverat me tenderë dhe e ka kritikuar për infrastrukturë të dobët rrugore e mashtrime sa i përket autoudhës. E pas tyre, deputeti Kurti ka dhënë 10 arsye pse duhet votuar Sami Kurteshi, numër ky që VV e mban në këto zgjedhje.

“Janë 10 arsye të fuqishme pse duhet votuar Sami Kurteshin. Sami Kurteshi ia heq erën e keqe që kundërmon Gjilanit me 10 impijante e kanalizime. Dy – Sami Kurteshi ndërton 2 shkolla të reja dhe i rregullon ato që ekzistojnë. Tre – Sami Kurteshi ndërton 4 çerdhe të reja dhe i rregullon ato 3 që ekzistojnë. Katër – Sami Kurteshi i ndërton 5 parqe të reja me kënde lojërash për fëmijë. Pesë – Sami Kurteshi ndërton 10 terrene sportive në fshatra e në qytet. Gjashtë – Sami Kurteshi i sjell 21 autobusë dhe i lidhë fshatrat e lagjet e qytetit me transport publik cilësor me standarte evropiane. Shtatë – Sami Kurteshi e sjell Kinemanë në Gjilan. Tetë – Sami Kurteshi e gjallëron Teatrin, nuk i lë punëtorët aty pa rroga. Nëntë – Sami Kurteshi sjell investime nga mërgata në Gjilan. Dhjetë – Sami Kurteshi i dhuron 100 euro secilës nënë që lind fëmijë në Gjilan”, ka thënë Kurti.

Ai më pas ka thënë se traumave të luftës i janë shtuar depresioni prej papunësisë e mllefi nga padrejtësia. Si dhe shtoi se për këtë, qytetarëve të Gjilanit i duhet punësimi e drejtësia, dhe për këtë ftoi që të mbështetet Sami Kurteshi, me qeverisjen e të cilit u zotua se garantohet mirëqenie për gjithë qytetarët.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera