Balotazhi: Tubim madhështor përmbyllës, 19 nëntori është data e fitores së radhës!

17 Nov 2017

Në palestrën e sporteve “1 Tetori”, të mbushur përplot aktivistë e mbështetës, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim përmbyllës të fushatës zgjedhore në Prishtinë. Ky tubim ndodhi në ditën kur kur 4 aktivistët tanë, Adea, Egzoni, Frashëri e Atdheu, u dënuan padrejtësisht, politikisht e pa asnjë fakt, vetëm e vetëm që të luftohet VETËVENDOSJE! Dhe rritja e saj. Mes mijëra pjesëmarrësve të këtij tubimi, ishin edhe kandidatët e Lëvizjes që janë në balotazh në komunat e tjera, si Sami Kurteshi në Gjilan, Qendron Kastrati në Kamenicë, Mytaher Haskuka në Prizren, Basri Kodra në Kaqanik, dhe Ajet Potera në Podujevë.

Kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri, tha se luftës politike kundër VETËVENDOSJE! do t’i përgjigjemi me mobilizim politik në secilën betejë tonën. “T’ua dëshmojmë të dielën Atdheut, Frashërit, Adeas e Egzonit se nuk janë vetëm, e se nuk jemi pak. T’ua dëshmojmë qytetarëve se ka shpresë në këtë vend. Se VETËVENDOSJE! është këtu. Më e fortë, më e vendosur, më e përkushtuar, më e madhe, fitimtare. Transformuese për pushtetin e shoqërinë. Siç bëmë në Prishtinë. Transformimi i Prishtinës pati jehonë kombëtare, e mirëqeverisja këtu pati jehonë ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Ymeri, duke shtuar se ky fuqizim i VETËVENDOSJE!-s i shërben barazisë, drejtësisë, si dhe garanton zhvillim dhe mirëqenien në këtë vend.

Përfaqësuesi i AKR-së në bashkëqeverisje në Prishtinë, Selim Pacolli, tha se vendimi i sotëm i gjykatës, është i padrejtë, dhe do të punojmë bashkë deri sa ta sjellim drejtësinë në vend. “Me VETËVENDOSJE!-n do të jemi bashkë në secilën sfidë. Gjetëm program të përbashkët, që do ta realizojmë brenda katër viteve të ardhshme. Të votojmë të dielën njeriun e duhur për Prishtinën. Të votojmë Shpend Ahmetin”, bëri thirrje Selim Pacolli.

Deputeti Albin Kurti tha se ky regjim do të dëshironte të mos ekzistonte fare Lëvizja jonë, por këtë gjë nuk e kemi në dorë as ne aktivistët e Lëvizjes, por populli i Kosovës. “E populli na ka përkrahur e fuqizuar në këtë vit si asnjëherë më parë si askënd më parë. Zemërimin tonë të jashtëzakonshëm sot duhet ta trajtojmë me mençuri të jashtëzakonshme sonte, nesër e pasnesër. Me zemër e me mendje të punojmë që me zemër e me mendje të votojmë që me zemër e me mendje të fitojmë që me zemër e me mendje festojmë. Tash, veçse puna jonë është lufta jonë. Jemi të fuqishëm duke u forcuar, jemi pranë duke u afruar. 19 nëntori do ta bëjë vitin 2017 vit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!-s”, theksoi Kurti.     

Kryetari i tashëm dhe i ardhshëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, falënderoi prishtinasit për përkrahjen e madhe gjatë gjithë mandatit të parë, përkrahje kjo që po vazhdon e po rritet edhe në këto zgjedhje. Ai tha se pushteti po dëshiron të na frikësojë, të na ndalë, e të na demobilizojë. “Por, prania e juaj sonte e tregon të kundërtën: jemi më të motivuar, më të guximshëm, më krenarë e edhe më ballëlartë”, duke shtuar se deri sa ta sjellim drejtësinë në vend, do të luftojmë në emër të Astritit, në emër të Frashërit, Atdheut, Adeas e Egzonit, në emër të së vërtetës.

Më tutje, Ahmeti foli për reformat e bëra deri tani në Komunën e Prishtinës, si dhe për planet tona konkrete për mandatin e radhës. “Në sot kërkojmë mbështetjen tuaj për katër vitet e ardhshme. Në çdo propozim tonin që kemi për politikat publike, ne e shohim qytetarin.

Ne shohim njeriun, jetën dhe barazinë. E shohim pensionistin, e shohim gruan. E shohim nënën, e shohim prindin. E shohim nxënësin, e shohim fëmiun. E kemi rregulluar ujin, tash do ta rregullojmë kanalizimin. I kemi rregulluar QMF-të, tash do ta bëjmë spitalin. U kemi dhënë ushqim fëmijëve, tash do t’iu japim edhe rasteve sociale. Do të rregullojmë parqe, fusha sportive në çdo lagje. I kemi ndalur ndërtimet pa leje, tash do t’iu rregullojmë hyrjet e ndërtesave me leje. Viti 2021 do të jetë shumë më i mirë për të gjitha këto kategori, me qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s

Jehona e transformimit në Prishtinë preku të gjitha komunat e Kosovës. Qytetarët e Kosovës e kuptuan këtë mundësi. Dhe u kthyen kah VETËVENDOSJE!. 19 nëntori është data e fitores së radhës. 10 është numri i VETËVENDOSJE!.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera