Regjimi në Kosovë krimet i kryen prapa krahëve të publikut në favor të Veselit

20 Dec 2017

Sot është duke u mbajtur në fshehtësi seanca e radhës e gjyqit politik që regjimi autoritar në Kosovë po zhvillon kundër katër deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli.

Sot do të duhej që të dëshmonte Kadri Veseli, por prokurori e ka tërhequr dëshminë e tij. Madje, kur deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kërkuan sqarime për këtë vendim për Veselin, gjyqtari i përjashtoi ata dy nga seanca. Ky gjyqtar i përjashtoi nga publiku edhe deputetët Adem Mikullovci, Sami Kurteshi, Ismajl Kurteshi, Xhelal Sveçla.

Rikujtojmë se të katër deputetët janë vendosur në bankën e të akuzuarëve vetëm nga që patën guximin t’i dilnin në mbrotje sovranitetit të Republikës dhe integritetit territorial të vendit, duke kundërshtuar “Zajednicën” dhe marrëveshjen për “Demarkacionin”. Gjykata Kushtetuese dhe komisioni i ri shtetëror për “Demarkacionin” kanë dëshmuar institucionalisht se këto dy marrëveshje cenojnë sovranitetin dhe territorin e vendit. Ky fakt do të mjaftonte që sot, në bankën e të akuzuarëve, të ishin ata që i kanë nënshkruar dy marrëveshjet dhe jo deputetët që i kundërshtuan ato. Por në vend që të dënohen shkelësit, përmes kapjes së sistemit gjyqësor, regjimi po tenton të dënojë pikërisht ata që e mbrojtën popullin dhe vendin ndaj akteve kriminale të vetë regjimit, dhe ketë krim të radhës regjimi po tenton ta kryejë mbrapa krahëve të publikut.

Në seancën e parë gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes, u lejua transmetimi direkt televiziv dhe aty mbarë opinioni publik kuptoi nivelin e ulët profesional dhe motivet e pastra politike që po e shtynë gjyqtarin Kalludra të çojë përpara këtë proces kryekëput politik. Kujtojmë se ky është i njëjti gjyqtar që dënoi pa asnjë provë apo dëshmi, me një akuzë krejtësisht të montuar, edhe 4 aktivistët e Lëvizjes Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti. Sakaq, në seancën e sotme gjyqësore, Kalludra e ndali për herë të dytë mundësinë e mediave për ta pasqyruar këtë proces për publikun e gjerë. Meqenëse regjimi i ka humbur të gjithë argumentet, përpiqet sot ta mbrojë veten përmes censurës – mjetit të preferuar të çdo regjimi autoritar.

Ky proces politik gjyqësor, tashmë i censuruar, është në të njëjtën linjë me mënyrën se si u nënshkruan marrëveshjet për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin” në gusht të vitit 2015. Edhe në atë kohë, regjimi nuk i paraqiti paraprakisht këto dy marrëveshje në Kuvend, siç ishte i detyruar ligjërisht të vepronte, dhe nuk tregoi kurrëfarë transparence ndaj publikut deri sa këto dy marrëveshje shtet-rrënuese u nënshkruan. Sot, sërish në fshehtësi, regjimi po tenton ta mbulojë krimin e këtyre dy marrëveshjeve me një tjetër krim: procesin politik gjyqësor ndaj deputetëve të Lëvizjes. Sërish sot, përmes censurës, regjimi po vepron në fshehtësi, larg syve të publikut.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon censurën e gjyqtarit Kalludra dhe të regjimit autoritar në Kosovë, dhe kërkon me ngulm transparencë dhe drejtësi për të gjithë përfaqësuesit e popullit që ndodhen sot padrejtësisht në bankën e të akuzuarve.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera