Depuetetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj u zgjatet paraburgimi duke e rënduar padrejtësinë dhe persekutimin politik ndaj tyre dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!

27 Dec 2017

Ditën e djeshme, gjyqtari Beqir Kalludra ka zgjatur sërish afatin e mbajtjes në paraburgim për deputetët Albin Kurti dhe Donika Kadaj deri në datën 27 janar 2018. Gjyqtari Kalludra është kthyer tashmë në personin kyç të sistemit të kapur të drejtësisë që regjimi në Kosovë ka vendosur në përndjekje të aktivistëve dhe deputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky vendim i radhës i gjyqtarit Kalludra sërish është jo vetëm i pabazë por edhe i ngritur mbi mashtrimin.

Në vendimin e djeshëm për ta zgjatur afatin e paraburgimit për dy deputetët, Gjyqtari Kalludra ka mashtruar duke thënë se Albin Kurti dhe Donika Kadaj “nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet apo vendqëndrimet e tyre” dhe se “të njëjtit janë fshehur” për t’iu shmangur organeve. I kujtojmë Gjyqatarit Kalludra dhe mbarë opinionit publik se dy deputetët jo vetëm janë gjetur në shtëpitë e tyre në vizitat që policia ka bërë në vendbanimet e dy deputetëve, por për më tepër edhe janë arrestuar duke ushtruar detyrën e tyre si përfaqësues të popullit. Përkatësisht, Albin Kurti dhe Donika Kadaj janë arrestuar nga Policia e Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës duke vajtur për të marrë pjesë në seancë pleanare.

Lëvizja VETËVENDOSJE! bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të deputetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj nga paraburgimi, dhe kërkon ndaljen e këtij persekutimi politik që regjimi në Kosovë vazhdon të ushtrojë ndaj deputetëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.


Prishtinë, 27 dhjetor 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

 

Image
Image

 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera