Prezantimi i Platformës në Mitrovicë

14 Jan 2018

Sot u takuam me aktivistët e Lëvizjes në Mitrovicë, ku diskutuam për zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për Platformën që paraqet synimet tona për mandatin e ardhshëm të kryetarit të Lëvizjes. Biseda ishte e frytshme, me diskutim të gjerë mbi problemet dhe mundësitë shoqërore e organizative.

Po e ripostojmë këtu njërën prej pikave të platformës, atë mbi barazinë gjinore.

Çështja gjinore

Organizata jonë përballet me të njëjtat probleme që i përjeton edhe shoqëria jonë e gjerë. Ndër problemet më shqetësuese, është diskriminimi gjinor. Këtë problem nuk mund të pretendojmë ta zgjidhim në shoqëri, nëse nuk e zgjidhim në organizatë. 
Jam i vetëdijshëm se nuk ekzistojnë receta përfundimtare për zgjidhjen e këtij problemi, i cili ekziston edhe në vendet më të zhvilluara e të emancipuara të botës. Megjithatë, nuk mund të rrimë pasivë, si Lëvizje, ndaj fyerjes dhe abuzimit që nënkuptohet prej pabarazisë. 
Kosova nuk do të fitojë me Lëvizjen nëse Lëvizja nuk është e grave po aq sa e burrave, sepse edhe Kosova duhet të jetë e grave po aq sa e burrave.
Hapa fillestarë, por urgjentë në këtë drejtim janë këto:

- Funksionalizimi i komisionit disiplinor, ose themelimi i një komisioni për çështje gjinore, i cili specializohet në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, dhe në disiplinimin e tyre. Seksizmi në momentin që bëhet cenim i integritetit fizik e moral të dikujt, duhet ndëshkuar pa u falur.
- Edukimi i vazhdueshëm përmes Sekretariatit të Gruas Aktiviste në bashkëpunim me Sekretariatin për Formim Ideopolitik, duke mbajtur takime vetëdijësuese me aktivistë në secilën qendër, trajnime e kurse për gjuhë të huaja, të folurit në publik, duke shpërndarë materiale të përkthyera, e duke nxitur shkrimin dhe diskutimin e temave që lidhen me çështjet gjinore brenda e jashtë organizatës.
- Çdo anëtare e re, pra rishtas e anëtarësuar në VETËVENDOSJE!, për një periudhë fillestare tremujore ta ketë një vajzë ose grua anëtare të mëhershme të Lëvizjes si mentore. 
- Nxitja e takimeve të aktivisteve në formën e “sisterhoods” (motëri) në të gjitha Qendrat, me synim krijimin e një komunikimi më të shpeshtë e më cilësor mes tyre, ku fuqizojnë zërin e tyre kolektiv brenda në Lëvizje, shkëmbejnë përvoja, edukojnë njëra-tjetrën, edukojnë edhe djemtë e burrat, si edhe ndikojnë në gjithë Lëvizjen.
- Kod i Sjelljes për të gjithë anëtarët, me theks të veçantë për djemtë dhe burrat, mbi komunikimin dhe shprehjet e papranueshme. Gratë dhe vajzat duhet të kenë ambient pune e diskutimi të sigurt e pa siklet. 
- Do të synohet të mbërrihet sa më parë barazia gjinore në punësim, në administratën e Lëvizjes. Në mandatin e ardhshëm Lëvizja duhet ta rishikojnë statutin edhe nga këndvështrimi feminist dhe të kthehet në model për respektimin e barazisë gjinore.

Image

 

Image

 

Image

 

Image

 

Image
 
 

 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera