Fjalimi i Glauk Konjufcës në Tribunën e 10 Shkurtit

10 Feb 2018

10 Shkurti

 

Të nderuara familje të Arben Xheladinit e Mon Balajt,

E nderuara familje Dehari,

Të dashur aktivistë të VV.

Të nderuar asambleistë e deputetë të VV,

I dashuri Albin,

 

Për 10 shkurtin më ka rënë të flas rregullisht përgjatë këtyre 10 viteve të fundit, prandaj kam menduar natyrshëm që i kam thënë pothuajse të gjitha. Çdo gjë që e kam konsideruar të rëndësishme. Por duke reflektuar këto ditët e fundit erdha në përfundimin që një konstatim i tillë nuk është i vërtetë sepse nuk është i mundshëm. Jo veç pse 10 Shkurti është një ngjarje e pashtershme. Por sepse 10 Shkurti është ankorim. 10 Shkurti është ankorimi i ardhmërisë. Kjo ngjarje e ka ankoruar të ardhmen. Cdo të thotë ta ankorosh të ardhmen?

Gilles Deleuze pat shkruar njëherë që nuk jemi ne që e festojmë Revolucionin Francez. Është saktësisht e kundërta – Revolucioni Francez na feston neve për çdo vit. Po pra – 10 Shkurti e ka hedhur spirancën sigurt në truallin e ardhmërisë. Kurse ne ende ndodhemi në anijen e detit të trazuar. Kjo i bie që 10 Shkurti e ka konstituuar qytetarin. Qytetari është e kundërta e spektatorit. Spektatori këqyr: pra ai nuk sheh asgjë. Qytetari vepron – ai e krijon të ardhmen.

Bile po ia jap vetes të drejtën të rrezikoj edhe pak – më falni për pasojat – por 10 Shkurti mendoj që nuk ka ndodhur ende. 10 Shkurti është potencialiteti i përhershëm i lirisë. Si ngjarje e themelon qytetarin-njësi dhe bashkësinë e të panënshtruarve si hallka të lidhura në organizim. 10 Shkurti nuk është kontabilitet historik. Ta qesësh cakun dhe ta arrish rezultatin. 10 Shkurti e vendos kauzën, i lind dëshmorët, dhe krijon fuqinë e paepur të përmbushjes.

Pikërisht ngaqë 10 Shkurti nuk ka ndodhur ende ai do të ndodh një ditë. Nuk është e thënë të jetë muaji shkurt. Mund të jetë edhe 10 qershor. Kushedi. Muajt ndryshojnë, apo jo? Ama 10 Shkurti ndodh vetëm atëherë kur populli shqiptar të bëhet një me parimin e vetëvendosjes. Për sa kohë ekziston shpërputhja mes kauzës dhe aktualitetit 10 Shkurti do të na tërheqë me fuqinë e tij kolosale që vjen nga ardhmëria drejt e këtu te ne në botën e të tashmes.  

10 Shkurtit duhet t’ia njohim edhe një tjetër dimension të rëndësishëm. Është kompletimi i mprehtësisë kolektive. 10 Shkurti ishte përplasje me UNMIK-un. Shiheni sot UNMIK-un. Ku është UNMIK-u? Kurse kasta politike në atë kohë na akuzonte se jemi kundër bashkësisë ndërkombëtare kurse UNMIK-u si e konceptonte si mbrojtës të lirisë. 10 Shkurti e etablon kornizën e logjikës politike kolektive. Teza bazike politike e 10 Shkurtit ishte kjo: nëse pranojmë zgjidhje pa vetevendosje, zgjidhja e tillë herëdokur do të shndërrohet në problem. Sepse është zgjidhje në dukje, por riciklim i problemit në praktikë. Ne thamë në atë kohë – nëse pranohet Plani i Ahtisaarit njëanshëm është i pashmangshëm pastaj një plan tjetër në raport me të cilin Plani i Ahtisaarit reduktohet në pozicionin e ardhshëm negociator të Kosovës. Korniza imponon një degradim të vazhdueshëm të pozicionit, jo forcim të tij. 6 vite pas 10 Shkurtit, në vitin 2013 erdhi Zajednica. Në procesin e ardhshëm që po quhet një pajtim historic me Serbinë, Kosovës do t’i kërkohet të shkojë me pozicionin fillestar të Planit të Ahtisaarit. Të gjithë e dimë rezultatin përfundimtar fatal për Kosovën nëse hyhet në këtë proces. Dmth. logjia politike e 10 Shkurtit është e saktë. Është e saktë sepse është e drejtë.

Për 10 Shkurtin kemi folur vazhdimisht nga një perspektivë teoriko-politike. Ajo që na ka munguar është shpalosja konsistente e një përmase konkrete e praktike shpeshherë dhe padrejtësisht të harruar të 10 Shkurtit. E kam fjalën për eksperiencën e dëshmitarit. Në këtë sallë ka shumë pjesëmarrës që atë ditë ishin protestues. A ju kujtohet atmosfera ngjethëse e popullit në fushën civile dhe e pushtetit në fushën e luftës? Nuk besoj që ka ndonjë i cili thellë në mish nuk e ka ndjerë atë ditë pozicionin e vet si i ekspozuari para pushkatimit përballë tytave shënjestruese. Kur e risjell në mendje me gjithë tensionin e situatës them – kjo ishte përpjekja më mizore në Kosovën e pasluftës për zhdukjen brutale të qytetarit si të tillë. Dhe kur përpiqem ta kuptoj pse, vij në përfundimin se qëllimi i vërtetë ishte vrasja e 10 Shkurtit si ide dhe platformë.

Prandaj deshta t’i ndaj me ju dy momente kyçe që e shpëtuan 10 Shkurtin nga vdekja e sigurt. I pari moment është demonstrata e 3 marsit. Kam parë me qindra, në mos me mijëra njerëz atë ditë, që e kishin një porosi të shkruar në ballë: të gjithë jemi Arbena dhe Mona. Liria definitivisht banon në dinjitetin e njeriut. Nëse njerëzve ua ke marrë dinjitetin, kjo do të thotë që ua ke marrë atyre lirinë. Kjo do të thotë që ua ke marrë jetën. Dinjiteti atë ditë u bë më i madh se UNMIK-u. Protesta triumfoi. Pushteti u mposht. 10 Shkurti u pastrua. Kurse pushteti u inkriminua. 3 marsi në thelb, pra, ishte betejë për të vërtetën. E vërteta vendoset përmes dinjitetit kolektiv.

Momenti i dytë që e shpëtoi 10 Shkurtin është një rast që nuk a ka pasë vemendjen e duhur të opinionit as mediave, por që për mendimin tim, paraqet goditjen përfundimtare të përpjekjes së UNMIK-ut për kriminalizimin e 10 Shkurtit. Ky rast ka të bëjë me dëshminë e njërit prej dëshmitarëve gjatë procesit të montuar gjyqësor të Albin Kurtit. Njër prej policëve të Policisë së Kosovës, atë kohë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, në gjyq pat thënë se mëngjesin e 10 Shkurtit, komandanti i policisë së UNMIK-ut i pat mbledhur në një sallë dhe u ka thënë: kemi informata të sigurta se VV e ka për qëllim një puç të rrezikshëm institucional, okupim të të gjitha institucioneve duke përfshirë edhe Qeverinë, prandaj kur të dilni përpara tyre të veproni duke e pasë në mendje këtë informatë. Pra, na u projektua qëllimisht një synim i paqenë ashtu që ndërhyrja kriminale e pushtetit edhe të mund të ndodhë edhe të duket si domosdoshme dhe e justifikuar. Pas kësaj deklarate, gjykata braktisi rastin dhe Albini u lirua. Por 11 vite më pas ende nuk ka ndëshkim për ata që e kryen krimin.

 

Lavdi Arben Xheladinit e Mon Balajt,

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit që ranë për liri!  

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera