Deklarimi i deputetit Xhelal Sveçla në Kuvendin e Kosovës: Krimi i organizuar Polici-Prokurori

02 Mar 2018
Krimi i organizuar Polici-Prokurori 
 
Deklarimi i deputetit Xhelal Sveçla në Kuvendin e Kosovës
 
Skandalet e njëpasnjëshme të drejtuesve dhe segmenteve në Policinë e Kosovës përfshirë edhe segmente të prokurorisë e gjyqësisë nuk po ndalen.  
 
Ende pa u harruar skenat e rrahjes në qendër të Prishtinës, plasën skandalet si ai i rekrutimit të inspektorëve të rinj në Inspektoriatin Policor.
 
Përgjime herë me autorizim e herë pa të, arrestimi i dy policëve të nacionalitetit serb në policinë e Kosovës dhe arrestime të zyrtarëve policorë të përfshirë në trafikim të narkotikëve. 
 
Sigurisht që për asnjë çast nuk duhet harruar e nënvleftësuar kontributi i zyrtarëve policorë të ndershëm e kurojoz për shoqërinë tonë. Por mbireagimet ku policia paraqitet si imune ndaj dukurive që përshkruajnë krimin e organizuar të lidhur me konjukturat e pushtetit nuk është naivitet por fshehje e qëllimshme e krimit. E edhe reagimet nervoze ndaj reagimit Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe deputetit Selimi vetëm sa rrisin dyshimet  edhe e bëjnë urgjente nevojën për mbikëqyrje strikte të këtij institucioni. 
 
Sa i takon skandaleve në Inspektoriat Grupi punues i Komisioni parlamentar për siguri po mbikëqyr zbatimin e ligjshmërisë në këtë institucion. Aktualisht mund të paralajmëroj të gjetura që vërtetojnë atë që e kemi thënë prej vitesh, gjendje tejet e tmerrshme.
 
Në këto kushte i kam disa pyetje për Drejtorin e përgjithshëm Shpend Manaxhuni:
Njëri nga zyrtarët e përfshirë në rrahjen e drejtorit të postës dhe shoqëruesit të tij është UD i Drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, Nazim Sahiti i cili herë na shfaqet si i dyshuar e herë si dëshmitarë, herë kërkohet suspendimi i tij e herë lejohet të punojë në funksionin aktual varësisht linjës komanduese ilegale brenda policisë. z.Maxhuni a e ka kaluar Nazim Sahiti verifikimin e AKI-së që bëhet për zyrtarë të lartë të sigurisë. Nëse jo pse jo. 
 
Së dyti, pse nuk është marrë parasysh vlerësimi negativ i AKI-së?
 
A ka punuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës së bashku me Nazim Sahitin tek Florim Maloku i ashtuquajturi Flloki (i arrestuar në Shkup për plaçkitje të bankës Procredit)?
 
A ka qenë drejtor në këtë drejtori Emin Beqiri i suspenduar për dyshime në përfshirje në vepër kriminale që ka lidhje me punën e tij?
 
Në po të njëjtën drejtori a ka punuar tashmë i suspenduari ish shefi ekzekutiv i IPK-së, i cili vetëm se ka ngri pozitën e tij paraprake në këtë drejtori apo më mirë me thënë kjo superdrejtori.  
 
Në se mes kreut të policisë dhe drejtorisë për të cilën po flasim janë edhe tri hallka të ndërmjetme në hierarki, pse ne në vazhdimësi dëgjojmë lajme për këtë drejtori pra Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsion e nuk dëgjojmë e s’dimë asgjë për nivelet e tjera ndërmjet? 
 
Tash një çështje që u takon edhe Drejtuesve të Policisë si dhe Kryeprokurorit - si ndodhi që dy policët në veri njëherë arrestohen e pastaj lirohen përkundër faktit se këta nga vendi i krimit vodhën gëzhojën e plumbit që vrau Oliver Ivanovicin? 
Të njëjtët ilegalisht ia dërguan forenzikës në Beograd, me ç’rast efektivisht MUP-in e Serbisë e kyçën në hetimin e vrasjes së Ivanovicit. 
 
Këto janë vetëm pak, shumë pak nga të bëmat e rrjetit të krimit të organizuar Polici – Prokurori. 
 
Nuk ka as zhvillim vendor, e as integrim evropian sa kohë të nderuar deputetë ju dhe subjektet tuaja heshtni dhe i nënshtroheni kësaj gjendjeje të padurueshme të kriminalitetit brenda institucioneve tona të sigurisë. 
 
2 mars 2018
Grupi parlamentar 
Lëvizja VETËVENDOSJE! 

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera