131 vite nga hapja e shkollës shqipe

07 Mar 2018

131 vite nga hapja e shkollës shqipe

Nga mësues të përndjekur, që me ngulm dhe përkushtim të pakusht jepnin kontributin e tyre edhe në kohë të vështira të pushtimit, këtu e 131 vjet më parë, merr hov krijimi i mësonjëtoreve të para shqipe, për t'u konkretizuar kësisoj në mësues të vërtetë, të cilët vetëmohimin e kishin tiparin më të fortë, e ndërgjegjësimin kombëtar motiv parësor. Kështu, më 7 mars 1887, në Korçë u hap shkolla e parë shqipe, me Pandeli Sotirin mësues dhe drejtues, si një prelud, po aq sa edhe nevojë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, por edhe shpalosje e hapur e vizionit për përparim shoqëror e kombëtar përmes edukimit dhe dijës.

7 Marsi, shënjon ndërgjegjësimin kombëtar dhe kështu bëri të mundur kapërcimin e mësimnxënies dhe mësimdhënies së gjuhës shqipe nga mbajtja gjallë në zhvillimin e kultivimin e saj, e përmes saj të progresit shoqëror e politik të kombit shqiptar përgjatë historisë.

Padyshim se arsimimi dhe shkolla si institucion janë një nga shtyllat e kombit dhe të Republikës. Kështu ka qenë kudo dhe kurdo, paçka edhe e ndaluar dhe e shtypur gjatë okupimit. Arsimimi gjithnjë, e veçmas për shqiptarët ka tërhequr paralelisht dy veçori. Në njërën anë, ndërgjegjësimi politik e kombëtar për të drejtat politike ka filluar dhe është paraprirë pikërisht nga shkolla dhe arsimdashësit, dhe së dyti, ka qenë pika nevralgjike e popullit që ka tërhequr politikat shtypëse e diskriminuese gjatë okupimit të regjimit të Milosheviqit. Përjashtimi nga shkollat dhe Universiteti të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, ishin ndër veprimet e para dhe më brutale të këtij regjimi gjatë viteve të 90-ta, si goditje për të shtypur vullnetin dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Qytetarët kanë të drejtë për dije dhe shkencë, ndërsa shoqëria dhe shteti kanë nevojë për sistem të arsimit cilësor që përkon si me resurset e Republikës për zhvillim, ashtu edhe me pritshmëritë legjitime të qytetarëve për mirëqenie brenda vendit. Por, tregimi që dijmë dhe përvoja që kemi njohur gjatë këtyre nëntëmbëdhjetë viteve pas çlirimit e dhjetë vjet pavarësi, është modeli i degradimit të sistemit të arsimit që nuk prodhon as dije për zhvillim e as lidhje të tij me ekonominë.

Me tekste shkollore jocilësore, jokoherente dhe pa ndërlidhje me nevojat dhe potencialin shoqëror e ekonomik, mbështetje të pamjaftueshme nga shteti, ku shkolla është e partizuar, drejtorët zgjedhen sipas përqindjeve të koalicioneve, pa investime në mjete të konkretizimit apo laboratorë; ku mësimdhënësit nuk kanë sigurim mjekësor, sigurim invaliditeti etj; nuk mund të kemi arsimim cilësor, ajo çfarë kemi pashmangshëm është në fakt renditja në nivelet më të ulëta nga Testi PISA dhe përjashtim të Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Europian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë. Ndërsa, mësimdhënësit e viteve të 90-ta në Kosovë për shumë vite janë nëpërkëmbur, kontributi i të cilëve asnjëherë nuk është njohur mirëfilltazi.

Trajektorja e arsimimit dhe edukimit shqip do të mbarte në vete sfida e vështirësi të mëdha, e megjithatë, asnjë e tillë nuk do të arrinte të ndalonte vullnetin e madh të mësuesve, të cilët domosdoshmërinë për të shpërndarë dije ndër breza e kishin vënë mbi çdo rrezik a interes vetjak. Dhe janë pikërisht këta mësues, të cilët do të ishin model për mësimdhënës të shumtë përgjatë viteve, në kohë lufte e paqeje, rruga e të cilëve do të përshkohej nga rreziqe e vështirësi, që do të tejkaloheshin në saje të vetëmohimit të tyre.

Megjithëkëtë, shkolla në Kosovë duhet rifituar rëndësinë e saj, tashmë jo të mbijetesës, por të prodhimit të shkencës e kompetencës së krahasueshme me shtetet e rajonit e më gjerë, që i shërben zhvillimit të shtetit, progresit e emancipimit shoqëror e kombëtar.

Pavarësisht sfidave e denigrimit të sistemit të arsimit, roli i mësimdhënësve mbetet thelbësor në përmirësimin e këtij kaosi të prodhuar këto vitet e fundit nga politikat e gabuara qeveritare. Por, duke uruar për një ditë kur arsimimi do të marrë vëmendjen e duhur e mësimdhënësit trajtim dinjitoz, urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera