Konferencë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në lidhje me takimin Thaçi - Vuçiq

25 Mar 2018
Të premten e 23 marsit, në mbrëmje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, darkuan së bashku. 

Nuk është e rastësishme që në atë darkë u rikthye ‘Zajednica’ e Serbisë në tryezë. Sepse, Thaçi i pat përbuzur nënshkrimet e mbi 205 mijë qytetarëve kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë dhe ‘Demarkacionit’ me Malin e Zi. Së dyti, Vuçiqi nuk e njeh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i cili më 23 dhjetor 2015 pat konstatuar se secili nga 7 kapitujt e ‘Zajednicës’ nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës në gjithsej 23 nene të saj.

Rikthimi i ‘Zajednicës’ po synohet nëpërmjet riaktualizimit të Marrëveshjes së Parë të Parimeve Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013, marrëveshje kjo e cila në 6 pikat e para të saj prej gjithsej 15 sosh, fliste pikërisht për ‘Zajednicën’. Kjo marrëveshje u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 26 qershor 2013 me 84 vota, me ç’rast vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! e pat kundërshtuar. Menjëherë ky ratifikim u pasua asokohe me amnestinë për kriminelët serbë në veri të Kosovës. 

Dialogu Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që më pastaj u shndërrua në marrëveshje Thaçi-Daçiq, pat nisur në kohën e publikimit të raportit të Dick Marty-t, pra fillimviti 2011. Dialogu Thaçi-Vuçiq, që synon të bëhet marrëveshje historike për pajtim, po nis në kohën kur është pritur të publikohen aktakuzat e para të Gjykatës Speciale, pra fillimviti 2018. Thaçi si i përfoluri kryesor në Raportin e padrejtë Marty, duhet tërhequr menjëherë nga këto negociata. 

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, e ka bërë të qartë se Serbia do sa më parë marrëveshje me Kosovën, marrëveshje kompromisi siç e quan ai, ku secila palë merr diçka. Me fjalë të tjera, Vuçiq po e vazhdon tezën e paraardhësit të tij, Vojislav Koshtunica, për Kosovën: më shumë se autonomi, më pak se pavarësi!

Serbisë po i ngutet për tri arsye:

1) Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit, Wess Mitchell, tha se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Vuçiq dëshiron që të nis të merret vesh me Thaçin para se Kosova të bëhet me ushtri.

2) Nuk dihet se si do të ec fati i karrierës politike të Thaçit në të ardhmen e afërt, andaj Vuçiq dëshiron ta shfrytëzojë mu dobësinë e Thaçit për përfitime të forta të Serbisë në këtë dialogun e ri.

3) Në negociatat e saj për anëtarësim në BE, Serbisë do t’i duhet herëdokur që ta pranojë e njohë Kosovën. Ky është kusht i Brukselit dhe sidomos Berlinit. Mirëpo, Vuçiq do që t’i çarmatosë zërat kritikë ndaj tij në BE duke u pajisur me proces të sigurt drejt marrëveshjes së sigurt me Thaçin. 


Rezultati kryesor i dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është Lista Serbe. Ne nuk kemi nevojë edhe për një dialog pa parime, edhe për një dialog asimetrik, edhe për një dialog pa kushte për Serbinë, edhe për një dialog veçse për çështje të brendshme të Kosovës, edhe për një dialog të privatizuar nga Presidenti Thaçi. Kosova është Republikë parlamentare dhe në Kuvendin e Kosovës duhet të debatohet para çfarëdo dialogu me Serbinë. Çka është ky President që merret vesh kollaj me Serbinë dhe as që provon të ndërtojë konsensus nacional karshi Serbisë?! Duhet të marrin fund darkat e tij sepse ato janë tepër të shtrenjta për shtetin e Kosovës dhe ardhmërinë e popullit tonë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera