Tubim me anëtarë dhe simpatizantë të Qendrës së Prishtinës

24 Mar 2018

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, sot, mbajti tubim me anëtarë, aktivistë e simpatizues nga Prishtina. Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, Koordinatori i Qendrës së Prishtinës dhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, si dhe drejtuesja e Grupit të Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Leonora Shabani Bajraktari.

Leonora Shabani- Bajraktari para të pranishmëve foli për rëndësinë dhe krenarinë e të qenit pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe nevojën për angazhim të mëtutjeshëm për realizimin e programit dhe qëllimit të Lëvizjes.

"Angazhimi im politik në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ka për qëllim luftimin e pabarazisë dhe varfërisë. Përkrahjen e të drejtave të grupeve të cenueshme duke kërkuar mbështetje për të rinjtë dhe gratë, nënat vetushqyese dhe personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, kujdesin për fëmijët, arsimimin cilësor dhe kujdesin shëndetësor", tha ajo.

Ajo poashtu shtoi se në Kuvendin Komunal do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve të Prishtinës.

Arben Vitia duke i falenderuar aktivistët e simpatizantët për secilën fitore të shënuar në Komunën e Prishtinës foli edhe për nevojën e angazhimit të mëtutjeshëm për të ringritur Qendrën e Prishtinës.

"Përballë këtyre situatave të reja, ne duhet të organizohemi maksimalisht në terren, në pika dhe në qendrën tonë. Simpatinë popullore, që na i dha votat, ne duhet ta përkthejmë në strukturë. Vetëm me një strukturë të fortë ne do të bëjmë të mundur arritjen e synimeve tona politike. Me një strukturë solide, mirë të organizuar, ne do ta imponojmë zbatimin e programit tonë për Prishtinën. E, për këtë na presin sfida e mbi të gjitha punë në mënyrë që ta forcojmë akoma organizatën", tha Arben Vitia.

Poashtu ai foli edhe për procesin e ri në Qendrën e Prishtinës që do të çojë në zgjerimin e organizatës në Prishtinë si dhe struktura të reja të Lëvizjes.

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti foli për rëndësinë e Qendrës së Prishtinës dhe opozitarizmin e pakomprentuar të Lëvizjes si në nivel lokal edhe atë qendror.

"Prandaj, në Prishtinë edhe ushtrohet veprimtaria jonë më e madhe politike. Këtu na duhet t´i organizojmë aktivitetet dhe aksionet, protestuese apo simbolike, këtu ballafaqohemi me pushtetin, prandaj këtu duhet ta dëshmojmë se jemi të shumtë në indinjatën tonë, por edhe të fortë në alternativën tonë. Për ta bërë këtë, na duhet një qendër shumë e fortë në Prishtinë. E qendra forcohet vetëm duke ia nisur prej pikës", tha Albin Kurti.

Ai tha se Arben Vitia është përzgjedhur koordinator i Prishtinës pikërisht për shkak të vlerave si aktivist dhe si profesionit i mirë. "Arben Vitinë e kemi zgjedhur në kryesi sepse është një njeri i thjeshtë e i ndershëm, komunikues e i ditur, dhe shumë punëtor. Nuk kemi dashur të vendosim në krye të këtij procesi ndonjë person i cili vuan nga mendjemadhësia apo nga komplekse të tjera".

Kryetari i Lëvizjes tregoi poashtu se së bashku me Koordinatorin Arben Vitia e angazhimin edhe më të madh të aktivistëve të Prishtinës e gjithashtu edhe me mbështetjen e gjithë Lëvizjes brenda vitit 2018 do të dyfishohet organizata në Prishtinë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera