Lëvizja VETËVENDOSJE!, homazhe te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial "Dëshmorët e Kombit" në Gllogjan

24 Mar 2018

Sot, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe te varrezat e dëshmorëve në kompleksin memorial "Dëshmorët e Kombit" në Gllogjan me rastin e 20 vjetorit të "Epopesë së Dukagjinit". 
Me këtë rast, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albini Kurti, tha:

Më 24 mars të vitit 1999, kishim përfshirjen e NATO-s në luftën çlirimtare të UÇK-së, bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së tretë dhe forcave të Millosheviqit.

Mirëpo saktësisht një vit para bombardimeve të NATO-s nisi Epopeja e Dukagjinit, nisi kushtrimi i lirisë dhe lufta çlirimtare në Dukagjin. Sot, ne me nderim dhe respekt të thellë kujtojmë burrat, gratë e të rinjtë, pleqtë e fëmijët, që nuk janë më në mesin tonë dhe të cilët na e përkujtojnë se historia nuk kalon.

Toka e Kosovës përveçse e ujitur me djersën e bujqëve dhe punëtorëve është edhe e larë me gjakun e dëshmorëve. Ashtu sikurse dikur që çlirimi nisi prej nesh e nga brenda e më pas u ndihmua prej jashtë e nga të tjerët njësoj edhe sot zhvillimi duhet të fillojë prej nesh e nga brenda që të ndihmohet prej të tjerëve e nga jashtë.

Lavdi gjithë dëshmorëve, heronjëve e martirëve të kombit shqiptar!

I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës e i tokës shqiptare që as nuk falet e as nuk shitet!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera