Dy mijë anëtarësime të reja në tre muajt e fundit

31 Mar 2018

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit organizativ, Ismajl Kurteshi, sot mbajtën mbledhjen e rregullt dhe të përmuajshme me kryetarët dhe koordinatorët e Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në mbledhje u diskutua për gjendjen organizative në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, me theks të veçantë në situatën në strukturat e Qendrave. Drejtuesit anembanë Kosovës dhe ata nga mërgata paraqitën të arriturat dhe sfidat në planet dhe punët e Qendrave me ç’rast u potencua rëndësia e iniciativës dhe mbikëqyrjes. Të gjitha Qendrat e Lëvizjes janë të angazhuara në zgjerimin e strukturave të tyre, duke formuar Pika të reja dhe duke i shtuar radhët me anëtarë të rinj. Kështu, nga informatat që vijnë nga terreni, ka një trend pozitiv dhe inkurajues: në tre muajt e fundit, pra në vitin 2018, ka mbi dy mijë anëtarësime të reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kryetari, Albin Kurti, i njoftoi përfaqësuesit e Qendrave me zhvillimet politike në vend, duke iu referuar posaçërisht ngjarjeve të javës së fundit, dhe qëndrimeve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përkitazi me to. Arrestimi e lirimi i Gjuriqit, tubimi inicues në veri për ringjalljen e ‘Zajednicës', dërgimi në Gjykatë Kushtetuese i marrëveshjes për ‘Demarkacionin' me Malin e Zi, dhe, dëbimi i paligjshëm e tinëz i gjashtë shtetasve të Turqisë, ishin tema të diskutimit në këtë mbledhje të radhës të kryetarit dhe sekretarit organizativ me Qendrat.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera