Thaçi po e mban peng KQZ-në

13 Apr 2018

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në lidhje me zvarritjen e procesit të emërimit të anëtarëve të KQZ-së nga Presidenti.

Anëtari i Krysisë dhe depupeti Sami Kurteshi foli për mënyrën se si Presidenti Thaçi tenton në çdo mundësi ta privatizojë secilin institucion të vendit.

“Kjo është ikje nga detyrimet me qëllim për të ikur apo tërhequr vëmendjen nga problemet reale. Thaçi ka një synim të vetëm, privatizimin e shtetit, duke kapur çdo institucion, edhe ato të pavarura”, tha Sami Kurteshi.
Përfaqësuesi i Lëvizjes në KQZ, Adnan Rrustemi u deklaruar në lidhje me obligimet dhe procedurat që institucioni i Presidentit ka karshi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Në bazë të ligjit për zgjedhje, mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fillon jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës. Gjersa, rezultati i zgjedhjeve për Kuvend të Kosovës është certifikuar më 8 korrik dhe sipas ligjit do të duhej që përbërja e KQZ-së të ndryshonte më së largu deri në fillim të shtatorit të vitit të kaluar, duke reflektuar kështu përbërjen e re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit”, tha Adnan Rrustemi.

Përkundër se po bëhen mbi tre muaj nga kur është certifikuar rezultati i zgjedhjeve lokale, dhe përfundimit të periudhës prej 90 ditësh, nga 27 marsi i këtij viti, praktikisht KQZ-ja është pa mandat. Presidenca është dashur që së paku deri më këtë datë ta përmbyllë procesin e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe mos ta mbajë peng konstituimin dhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Ky proces po zvarritet qëllimshëm nga Presidenti Thaçi dhe kjo pashmangshëm ndërlidhet edhe me faktin, por jo vetëm, se në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit, PDK-së nuk do t’i takojnë dy anëtarë siç ishin deri më tani, por vetëm një”, shtoi Adnan Rrustemi.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon që sa më parë të zhbllokohet funksionimi i Komisiont Qendror të Zgjedhjeve, duke emëruar anëtarët e KQZ-së në përputhje me Kushtetutën e Republikës dhe ligjin për zgjedhje. Lëvizja VETËVENDOSJE! në ditët në vazhdim do të bëjë nominimin e dy anëtarëve të ardhshëm të KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe presim që brenda afatit prej pesë ditësh, siç e parasheh ligji për zgjedhjet, Presidenti i Kosovës, të konfirmojë me shkrim emërimin e tyre.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera