Albin Kurti në Konferencën Ballkanike të Partisë së Socialistëve Evropianë

13 Apr 2018

Ditën e sotme u zhvillua në Tiranë Konferenca për Ballkanin Perëndimor e organizuar nga Partia e Socialistëve Evropianë (PES), e titulluar: “Drejt Samitit të BE-së për Ballkanin”. Në këtë konferencë u trajtuan tema si anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe mënyrat se si shoqëria civile dhe sektori ekonomik mund të kontribuojnë në procesin e integrimit. Në konferencë merrnin pjesë përfaqësues të lartë të partive socialdemokrate në Evropë, si Europarlamentari Knut Fleckenstein i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Kryetari i PES, Sergei Stanishev, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Michele Nicoletti, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe përfaqësues të partive të qendrës së majtë të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari Albin Kurti në fjalën e tij në këtë konferencë theksoi se në strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor partitë socialdemokrate kanë shumëçka për të kontribuar në procesin e integrimit dhe anëtarësimit në BE. Rëndësia e ndërlidhjes së edukimit cilësor me zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë sociale është rruga e progresit. Në fund Kurti tha se mërgata e popujve të Ballkanit në BE është ura e investimeve për rritje ekonomike. Ndërkaq, sa i përket partive socialdemokrate ai foli për nevojën e shtimit të solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë midis tyre.

Kjo konferencë u mbajt në prag të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Prishtinë, 4 prill 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera