Shkrimi i parullave në Therandë. Nëntë të arrestuar.

02 Aug 2005

Me 2 gusht 2005, në qytetin e Therandës, në orën 12:00, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajtën një takim me qytetarët e atyshëm. Pas këtij takimi, të gjithë së bashku dolën për ta shkruar parullën "JO NEGOCIATA. VETËVENDOSJE!" në këtë qytet. Pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës tentuan t'i arrestojnë aktivistët, por qytetarët nuk lejuan një gjë të tillë, me ç'rast i mbrojtën ata. Por, aty rreth orës 14:30, në pamundësi për t'i arrestuar ata, pjesëtarë të SHPK-së, të cilëve u erdh në ndihmë edhe Njësia Speciale nga Prizreni, filluan intervenimet e dhunshme kundër aktivistëve dhe qytetarëve, me ç'rast kundër tyre u përdorën edhe spreja që shkaktojnë humbjen e përkohshme të të pamurit si dhe djegie në lëkurë. Si pasojë e kësaj, dy qytetarë kërkuan intervenim mjekësor. Njëri prej tyre pësoi alivanosje. Disa qytetarë janë të lënduar. Arrestimet e dhunshme kanë vazhduar rrugëve të qytetit. Janë arrestuar 9 qytetarë. Ne dijmë emrat e gjashtë qytetarëve të arrestuar nga Theranda. Ata janë: Zymer Hoxha nga fshati Budakovë, Ibrahim Ibraj nga fshati Reçan, Arben Fetaj nga fshati Reçan, Shemsi Bytyçi nga fshati Studençan, Gëzim Kabashi nga fshati Mohlan dhe Abdullah Kryeziu. Këtyre u është caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej 72 orëve. Policia ka pasur edhe një tentim të pasuksesshëm për ta arrestuar gazetaren e gazetës Express, Eta Morina. Ata provuan t'ia merrnin asaj aparatin fotografik. Përpjekje e pështirë për t'i fshehur sadopak gjurmët e dhunës së kryer. I lënduar nga policia është Zeqir Hoxhaj. Këtë ekspeditë të policisë e udhëhoqën eprorët Arsim Berisha dhe Milazim Lumi nga Bllaca. Pjesëtarët e SHPK-së që ishin posaçërisht të dhunshëm janë: Haredin Daka, Arton Zeqaj dhe Ismet Bytyqi nga fshati Nishor.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera