Populli pamundëson arrestimin në Besianë

30 Jul 2005

Me 30 korrik, në orën 12:00, 18 aktivistë të lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Prishtina shkuan në Besianë për të shkruar parullën "JO NEGOCIATA. VETËVENDOSJE!" Ata atje u bashkuan me aktivistë nga Besiana dhe me disa qindra qytetarë. Policët e SHPK-së, duke intervenuar dhunshëm, provuan tri herë radhazi t'i arrestojnë aktivistët, por ata u penguan nga masa e njerëzve. Rreth 20 parulla u shkruan gjithandej nëpër Besianë, nëpër muret publike, ato të pushtetit dhe të lokaleve e shtëpive private. Qytetarët që u solidarizuan me aktivistët krijonin murin e gjallë mbrojtës për shkruesit e parullave dhe nuk lejonin policinë të afrohej. Atëherë kur aktivistët filluan të shpërndaheshin dhe u nisën me vetura për në Prishtinë, policia i arrestoi tre qytetarë dhe aktivisten Vlora Bajçinca. Ata u liruan pas dy orëve. Mirëpo, njëkohësisht policia krijoi edhe postblloqe përgjatë rrugës për në Prishtinë. I ndali aktivistët dhe sërish provoi t'i arrestojë ata duke përdorur edhe sprejin lotësjellës. Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s të përkrahur edhe nga shumë qytetarë sërish ia dolën të mos arrestoheshin. Ata kundërshtuan arrestimin duke u vetëmbrojtur kësisoj nga këto sulme të policisë. Pas kësaj, të gjithë filluan të marshonin sërish kah qyteti i Besianës, ndërkohë që shumë qytetarë vinin nga Besiana dhe bashkoheshin e po ashtu edhe aktivistë të tjerë të VETËVENDOSJE!-s që erdhën nga Prishtina. Përsëri në Besianë u krijua një masë e njerëzve që i mbronte aktivistët. Mandej të gjithë së bashku u kthyen në orën 16:00 në Prishtinë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera