Dënohen dy aktivistë të VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë

25 Jul 2005

Dje në Mitrovicë rreth orës 17:30, u patën arrestuar aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Mitrovica: Shemsedin Aliu dhe Bujar Voca. Ata po e shpërndanin Rezolutën e OKB-së numër 1514, të datës 14 dhjetor 1960, për dhënien e pavarësisë vendeve dhe popujve të kolonizuar. Kjo Rezolutë u jep të drejtën për vetëvendosje të gjithë popujve. Polici i quajtur Idriz Idrizi me numër 1785, i cili njihet si polic famëkeq në Mitrovicë, së bashku me Sami Mehmetin, zëdhënësin e SHPK-së, i ndaluan Shemsedinin dhe Bujarin dhe ua kërkuan letërnjoftimet. Shemi dhe Bujari me atë rast ua dhanë atyre letërnjoftimet por policia i urdhëroi ata për të shkuar në stacion.
 Pasiqë e gjithë kjo po ngjante afro 5 metra larg nga stacioni, dy aktivistët filluan t'i tregojnë policëve se çfarë po shpërndajnë duke aluduar se nuk ka arsye për arrestim apo marrje në pyetje. Sapo ata filluan të diskutojnë këtë, policët (edhe disa të tjerë që erdhën në atë moment) në mënyrë të dhunshme duke i kapur aktivistët për flokësh dhe në fyt i kanë arrestuar ata dhe i kanë shpier në stacion të policisë. Shemi dhe Bujari nuk kanë pranuar të japin deklaratë, kurse policia i ka futur ata nëpër qelitë e paraburigmit. Pasi kanë qëndruar afro 20 orë aty, sot rreth orës 11:00 ata janë dërguar në Gjykatën për kundërvajtje dhe pasi që janë marrë në pyetje, janë dënuar Shemi me 200 euro, ndërsa Bujari me 300 euro.

Sipas të arrestuarve, gjatë gjithë kohës sjellja e Idriz Idrizit ka qenë brutale dhe poshtëruese. Idriz Idrizi e ka ndërruar motivin e arrestimit duke gënjyer se gjoja aktivistët e kanë ofenduar, sharë, se e kanë quajtur injorant e kanibal, gjë që nuk është asgjë tjetër përveçse gënjeshtër e kulluar e tij.
Aktivistët e lëvizjes VETËVENDOSJE! do të shkruajnë parulla edhe më shumë dhe pandërprerë. Lëvizja do të zgjerohet, aksionet do të shtohen. Deri në vetëvendosje.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera