Në Prizren, keqtrajtim në stacionin e policisë. 14 të arrestuar.

22 Jul 2005

Të premten me 22 korrik 2005, rreth orës 16:00, u arrestuan 14 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga pjesëtarë të SHPK-së përderisa ishin duke shkruar parullat ‘JO NEGOCIATA. VETËVENDOSJE!’ në qytetin e Prizrenit. Policia ka qenë tejet brutale. Ka përdorur dhunë ndaj të gjithë aktivistëve të arrestuar. Janë lënduar sidomos: Shpend Terziu, Shqipe Miftari dhe Hysen Durmishi. Aktivistët e arrestuar ishin: Albin Kurti, Dashamir Asllani, Hysen Durmishi, Petrit Zogaj, Sahit Ramadani, Dren Marseli, Shpend Terziu, Shqipe Miftari, Kemajl Shala, Rilind Bytyqi, Fadil Jashari, Agron Limani, Driton Limani, Ilir Rashkaj. Pasiqë është dërguar në stacion aktivisti Hysen Durmishi, është rrahur brutalisht nga togeri Bujar Sahitaj, udhëheqës i njësisë speciale. Më herët Hysen Durmishi gjersa po shkruante parulla është rrahur nga polici i njësisë speciale, rreshteri Blerim Voci. Në Prizren, qytetarë të shumtë janë munduar ta pengojnë arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, por nuk ia kanë dalur për shkak të numrit të madh të policëve. Posaçërisht të numrit të madh të policëve të njësive speciale, të cilëve ju bashkuan edhe policë të UNMIK-ut si dhe ushtarë të KFOR-it gjerman. Me atë rast është arrestuar edhe gazetari Kreshnik Llabjani i agjencisë së lajmeve Kosovapress.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera