Kërbaç dhe spray lotësjellës për aktivistët në Shtime

20 Jul 2005

Të mërkuren, me 20 korrik 2005, në orën 11:45 në Shtime janë arrestuar Agron Çuni, Epir Qeriqi dhe Sabit Azizi. Pjesëtarët e SHPK-së me shufra gome i kanë rrahur aktivistët e VETËVENDOSJE!-s. Për më tepër, policët e SHPK-së, aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s u kanë hedhur spray në sy, i cili bën pamundësimin e shqisës së të pamurit për së paku 2 orë. Policët që i kanë rrahur aktivistët janë: Ramiz Salihaj, Afrim Rexhepi dhe rreshteri Enver Avdyli. E gjithë kjo është bërë nën urdhërin dhe mbikëqyrjen e Destan Thaçit, nënkolonel i regjionit, i cili nuk ka zbatuar rekomandimin e mjekut nga Shtëpia e Shëndetit në Shtime që Epir Qeriqi të dërgohet në Spitalin e Prishtinës. Agron Çuni dhe Epir Qeriqi janë rrahur pasi që u janë lidhur duart. Te i pari mjeku ka konstatuar lëndime të ekstremiteteve, ndërsa te i dyti lëndime të kokës dhe syrit. Të dy këta janë goditur edhe gjersa i kishin duart e lidhura. Njëri prej të arrestuarve e ka parë në tavolinë në stacion të policisë urdhëresën për të gjithë komandantët e stacioneve të policisë që të arrestohen ata që do të shkruajnë parulla. Policia ua ka vjedhur aktivistëve sprejat dhe dhe shabllonat duke mos u dhënë kurrfarë dokumenti për konfiskimin e tyre. Të tre aktivistët janë dërguar në Gjykatën për Kundërvajtje në orën 16:00 prej nga janë liruar në orën 18:00 pasi që policët dëshmitarë nuk kanë ardhur në seancë.

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera