Në Ferizaj, dikush e vazhdoj parullën

14 Jul 2005

Me 14 korrik 2005, rreth orës 18:45, pas shkrimit të parullave “JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!” në rreth dhjetë vende të ndryshme publike në Ferizaj, policë të SHPK-së ua ndërprenë punën aktivistëve dhe i arrestuan ata. Paraprakisht policia rrethoi aktivistët te një mur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” ku ata kishin arritur ta shkruanim vetëm pjesën “JO NEGOCIATA” të parullës. Policia i akuzoi ata për dëmtim të pronës private dhe prishje të rendit publik. Aktivistët ishin marrur vesh paraprakisht me pronarin e lokalit në muret e së cilit po e shkruanim parullën. Ai vetë ua kishte lejuar madje me entuziazëm të hapur. Kësisoj, akuza e parë e policisë doli qesharake. Ndërsa, sa për prishjen e rendit publik dy gjëra flisnin ndryshe. Së pari, asnjë qytetar nuk ishte ankuar për aktivitetin. Dhe së dyti, kur aktivistët pyetën masën e grumbulluar spontanisht të të rinjëve ferizajas për aktivitetin, ata brohoritën njëzëri në shenjë përkrahje. Pikërisht për shkak të kësaj mase qytetarësh, policët që ndodheshin aty hezitonin të kryenin menjëherë arrestimin. Vetëm pas përforcimeve të reja, urdhërave të policisë për shpërndarje të të rinjëve që ndodheshin në të dy anët e rrugës dhe ardhjes edhe të eprorëve të policisë së UNMIK-ut, policët intervenuan dhunshëm dhe i arrestuan aktivistët. Të arrestuar ishin: Albin Kurti, Adem Bërnica, Berat Ganiqi, Milot Kelmendi, Sabit Azizi, Valon Berisha, Xhelal Sveçla si dhe një qytetar tjetër nga Ferizaji. Rreth pesë orë ata i kaluan në stacionin policor dhe tri të tjera në Gjykatën për kundërvajtje. Askund nuk kanë dhënë deklaratë dhe asnjëri nga ata s’ka angazhuar avokat. Të gjithë kanë deklaruar: ”Çfarë kemi pasur të themi, e kemi bërë me parullat”. Atë ditë, në Ferizaj, përveçqë janë shkruar parulla, në qindra kopje janë shpërndarë edhe dy numrat e gazetës VETËVENDOSJE! Disa prej tyre u janë dhënë edhe policëve. Disa prej tyre thanë se do t’i lexojnë. Të gjitha të arrestuarit u liruan në orën 2 të mëngjesit pasi që gjykatësi për kundërvajtje ua shqiptoi dënimin prej 150 eurove secilit ose 10 ditë burg. Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s nuk do ta paguajnë dënimin. Ata s’janë dhe nuk ndjehen fajtorë. Pasi që aktivistët dolën nga ndërtesa e Gjykatës dhe kur morën rrugën për në Prishtinë, te muri ku ata ishin arrestuar, tetë orë më vonë, shihej se nën fjalën JO NEGOCIATA të parullës së mbetur përgjysmë, dikush e kishte vazhduar atë duke shkruar përfundi saj: VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera