Reagim nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë ndaj sjelljeve të militantëve të AAK-së dhe Policisë së Kosovës

11 Apr 2012

Lëvizja VETËVENDOSJE! reagon ndaj sjelljeve të militantëve të AAK-së dhe Policisë së Kosovës të cilët sot gjatë aksionit  “Ky person po i kushton komunës sonë shumë shtrenjtë” kërcënuan dhe ofenduan gjashtë aktivistë të VETËVENDOSJE-s . Rreth 30 policë të Kosovës si dhe forcat speciale ishin gjatë aksionit ku militantët e AAK-së në prezencën e tyre ofendonin, kërcënonin dhe shqyenin posterët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!


Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s gjatë aksionit, nga ndërtesa e Komunës së Gjakovës deri te Parku i qytetit, u përcollën nga militantet e AAK-së, të cilët vazhdimisht shanin e kërcënonin aktivistët tanë dhe nuk lejonin që të vendosnin posterat.


Militantët e  AAK-së të udhëhequr nga kryetari i Komunës Pal Lekaj, i cili  e shihte ngjarjen nga dritarja e zyrës, kërkonin nga aktivistët e VETËVENDOSJE!-s që ta ndalin aksionin dhe mos të vazhdojnë të  ngjisin posterat,  ku janë të shkruara keqpërdorimet me fondet publike që i ka bërë kryetari Pal Lekaj.


Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Gjakovë do të vazhdojë të bëjë punën e saj kundër keqpërdorimeve të komunës se Gjakovës dhe do të jemi kritik  ndaj politikave të Pal Lekajt i cili po manipulon me paratë e qytetarëve.



Lëvizja VETEVENDOSJE! Qendra Gjakovë
Sekretariati për Media dhe Komunikim

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera