Reagim ndaj komunikatës së Komunës së Drenasit, të datës 9 prill 2012

09 Apr 2012

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, reagimin e Komunës së Drenasit në lidhje më aktivitetin tonë, që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për ndarjen dhe shpenzimin e padrejtë të buxhetit për vitin 2012, e konsideron si përpjekje dëshpëruese për kamuflimin e keqmenaxhimit sistematik të tyre.


Në reagimin e Komunës së Drenasit thuhet se zyrtarët komunal organizojnë dëgjime publike për çështje të ndryshme, më qëllim që qytetarët të thonë fjalën e tyre. E vërteta është se  dëgjimet publike Komuna e Drenasit i organizon shumë rrallë dhe kërkesat e rekomandimet e qytetarëve në këto takime kurrë nuk merren  parasysh, për të mos thënë se injorohen fare.


Zyrtarët komunalë në reagimin e tyre, thonë se aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kanë njohuri se si hartohet dhe shpenzohet buxheti komunal. Ne e ritheksojmë se buxheti i komunës sonë duhet të hartohet në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe të sektorëve të rëndësishëm për të cilët kemi folur në konferencën për medie. Për më tepër, buxheti duhet të shpenzohet pa e vjedhur atë në faza të ndryshme.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas do të vazhdojë t’i kritikojë keqmenaxhimet në këtë komunë, dhe njëkohësisht do të paraqes alternativa konkrete për zhvillimet e gjithëmbarshme në komunën e Drenasit.  Edhe pse pushtetarët e Drenasit po i përdorin të gjitha mekanizmat komunal, duke mos kursyer as policinë, për të na penguar dhe pamundësuar aktivitetet tona. Ne nuk do të ndalemi derisa të ndërrohet mendësia e mbrapsht qeverisëse.






Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera