Buxheti antizhvillimor i Drenasit

06 Apr 2012

Fjala e Petrit Bajraktarit, kryetar i Qendrës Drenas


Pushtetarët në Komunën e Drenasit për vitin 2012 kanë përpiluar një buxhet me defekte të mëdha, i cili nuk e përmirëson gjendjen e rëndë të qytetarëve, por i pasuron edhe më shumë zyrtarët komunalë. Buxheti i Komunës sonë, sikurse në të kaluarën edhe për këtë vit është shpërndarë në mënyrë joefikase dhe të padrejtë. Në buxhetin e këtij viti pjesa dërmuese e mjeteve shkojnë në paga, mëditje, mallra dhe shërbime tjera komunale. Përqindja tepër e ulët e mjeteve për investime kapitale dhe përqindja tepër e lartë për mallra e shërbime tregon më së miri se pushtetarët e Komunës sonë mendojnë vetëm për rritjen e  luksit dhe komoditetit të tyre.


Më ndarjen e buxhetit të Komunës së Drenasit për vitin 2012, sektorët e rëndësishëm janë lënë me një buxhet qesharak. Drejtoria për Shëndetësi ka aq pak mjete sa që po t’i ndajmë për kokë banori nuk arrijnë as dy euro për person. Më kaq pak para nuk ka gjasa që të përmirësohet gjendja e rëndë në shëndetësi. Hiq më mirë në këtë vit nuk qëndron me mjete as Drejtoria për Bujqësi. Të gjithë bujqit që mendojnë t’i punojnë tokat e tyre në këtë vit, nuk do të mund të llogarisin ndihmë nga Komuna më shumë se pesë euro për hektarë. Nëse bazohemi në të kaluarën, bujqit e zellshëm që nuk i lënë djerrinë tokat e tyre nuk do të marrin as edhe një cent.


Udhëheqësit e Drenasit përveç që përpilojnë buxhete jozhvillimore dhe shpenzuese, ata edhe e vjedhin atë përmes keqmenaxhimit. Për çdo kategori të shpenzimit zyrtarët komunalë zhvatin paranë publike në mënyra të ndryshme. Për secilin investim që bëhet në sektorët e ndryshëm, zyrtarët komunalë i ndajnë një pjesë të mjeteve me kompanitë që i realizojnë projektet që në një masë të madhe janë në infrastrukturë.


Komuna e Drenasit ka nevojë për politikbërës që kanë vullnet dhe aftësi që të hartojnë dhe shpenzojnë buxhetin në mënyrë të drejtë dhe në harmoni me  kërkesat dhe nevojat e shumta të qytetarëve të Drenasit. Edhe një herë kundërshtojmë fuqishëm buxhetin e miratuar nga Asambleja Komunale e Drenasit për vitin 2012, nga i cili përfitojnë vetëm grupet parapolitike dhe politike.


Çfarë përmban buxheti 2012 në Komunën e Drenasit?


Fjala e Fidan Prokshit, nënkryetar i Qendrës Drenas


Buxheti i përgjithshëm për vitin 2012 në Komunën e Drenasit arrijnë shumën prej  9.679.985 euro e cila përbëhet nga grandet  qeveritare dhe nga të hyrat vetanake të Komunës.


Prej kësaj shume të buxhetit, 61.90% të tyre janë ndarë për paga dhe meditje apo 5.988.755 euro, ndërsa për investime kapitale janë ndarë vetëm 27.10% të shumës së përgjithshme apo 2.622.337 euro.


Kurse për mallra dhe shërbime komunale janë ndarë 9.72 % të buxhetit apo 941.083 euro që sipas një përllogaritje Komuna e Drenasit shpenzon 3564 euro për një ditë pune.


Për Zyrën e Kryetarit janë ndarë 1.57 % e buxhetit aq sa janë ndarë edhe për sektorin e bujqësisë për tërë Komunën e Drenasit për një vit që është vetëm 1.60% e shumës së përgjithshme të buxhetit. Paga dhe mëditje për Zyrën e Kryetarit janë ndarë 72.141 euro, zyra përbehet nga 6 zyrtar që për secilin prej tyre për 1 muaj ndahen 1001.99 cent, vetëm paga dhe mëditje. Zyrës së kryetarit investime kapitale i janë ndarë 25 mijë euro, ndërsa investime kapitale për sektorin e bujqësisë janë ndarë vetëm 86 mije euro. Komuna e Drenasit numëron gjithsej 16.250 hektarë tokë që për secilin hektarë gjatë një viti do të ketë investime kapitale vetëm 5.3 euro.


Një ndër sektorët e ndjeshëm në Komunën e Drenasit është edhe shëndetësia që është në gjendje të mjerueshme e për këtë sektorë Komuna e Drenasit ka ndarë 13.43 % të buxhetit, ndërsa  vetëm 100 mijë euro investime kapitale apo për  një fshat për 12 muaj ka ndarë  vetëm 2388 euro  apo 1.56 euro për kokë banori.


Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Drenas konsideron që kjo ndarje buxhetore për vitin 2012 nuk përkon me interesat e qytetarëve të Drenasit dhe me gjendjen e rënde ekonomike dhe sociale në Komunën tonë.




Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera