Faton Topalli, kandidat zyrtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Ferizajt

03 Apr 2012

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të brendshme për kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Komunës.


Në emër të Komisionit Zgjedhor Ad hoc, i cili i ka organizuar zgjedhjet e brendshme, anëtarja e këtij komisioni, Besa Sojeva i deklaroi rezultatet përfundimtare, “Komisioni ka pritur deri në 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë. Anëtarët tanë kanë votuar në nivelin prej 97.89 % për kandidatin Faton Topalli. Në emër të Komisionit zgjedhor Ad hoc, shpallim fitues të këtyre zgjedhjeve të brendshme, Faton Topalli si kandidat zyrtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryetar komune në Ferizaj”.


Pas shpalljes së rezultatit, fjalën e mori kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti.


Albin Kurti theksoi rëndësinë e demokracisë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. “Emancipimi politik vjen prej zgjedhjeve të brendshme. Asnjë subjekt në Kosovë, madje edhe më gjerë se kaq, nuk i praktikon zgjedhjet e kandidatëve prej bazës. Kjo është një praktikë maksimalisht demokratike. Demokracia e vërtetë vjen prej poshtë dhe nga brenda. Nuk mund të ketë demokraci që subjektet e bëjnë jashtë nëse atë nuk e kanë përbrenda. Ne, të VETËVENDOSJE!-s e praktikojmë demokracinë e brendshme ashtu siç duam të bëhet në të gjithë Kosovën. Llogaridhënia e kandidatit i përkushtohet popullit, jo kryetarit të partisë”, tha Kurti. Ai theksoi po ashtu se Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet zgjedhjen që bënë anëtarët dhe aktivistët e Ferizajt.


Albin Kurti foli më pas dhe për Faton Topallin.


“Faton Topallin e kam njohur personalisht prej vitit 2010, kur ai u afrua si aktivist e si bashkëpunëtor në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Historia e tij është interesante dhe frymëzuese. Ai e ka filluar veprimtarinë politike në gushtin e vitit 1978, në lëvizjen e asaj kohe. Ka qenë vetëm 15 vjeç atëherë. Në vitin 1981, ka qenë pjesëmarrës në organizimin e demonstratave, e më pas, i përndjekur, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë, ka shkuar në mërgim pa e ndërprerë asnjëherë aktivitetin: në Turqi, pastaj në Gjermani, e që prej vitit 1983 në Zvicër, ku ka jetuar për një kohë të gjatë. Aty ai është arsimuar dhe është ngritur profesionalisht. Sot, Fatoni e përfaqëson denjësisht intelektin shqiptar duke ligjëruar shkenca sociale në fakultetin e shkencave sociale në Cyrih. Por, dëshira e tij ka qenë të kontribuojë këtu, në vendin e tij.


Më tej Albin Kurti theksoi se “Faton Topalli është një njeri i ndershëm, për një qytet të ndershëm, një njeri punëtor për një qytet punëtor, një njeri atdhetar, për një qytet atdhetar”.


Ndërsa kandidati Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryetar të Ferizajt, Faton Topalli, fillimisht i falenderoi të gjitha anëtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilët i dhanë besimin përmes votës. Ai tha se “Ferizaj ka vlera dhe potencial të madh human dhe material. Jam këtu që të punojë me ato vlera dhe me atë potencial që ka ky qytet, por që deri më tani për shkak të mentalitetit të mbrapsht qeverisës nuk janë lejuar të shfaqen dhe të përdoren në shërbim të zhvillimit të qytetit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.


Topalli tha se “ka ardhur dita që të dëshmojmë se Lëvizja VETËVENDOSJE!, ashtu siç ka qenë opozita më e mirë, do të jetë edhe qeverisja më e mirë”.


Duke folur për gjendjen aktuale të pushtetit lokal, ai theksoi se, “Këta e kanë uzurpuar pushtetin lokal. Ne do të ia kthejmë atë qytetarit. Këta janë pasuruar duke keqpërdorur pushtetin. Ne do ta vendosim pushtetin në shërbim të qytetarit për ta ndërtuar dhe zhvilluar komunën tonë. Këta, komunën e përdorën për të punësuar miq e kushërinj. Ne do ta kthejmë në administratë të ekspertëve dhe profesionistëve”.


Faton Topalli e përfundoi fjalën e tij duke thënë se: “Ne angazhohemi për një qeverisje që ka në thelb barazinë para ligjit, dinjitetin dhe pjesëmarrjen e komunitetit në të gjitha proceset vendimmarrëse. Ferizaj është një komunë e madhe dhe e rëndësishme për Kosovën. Ne do të punojmë që Komunës dhe qytetarëve të Ferizajt t’i kthehet vendi dhe pesha që i takon”. 


 

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera