Komunikatë nga tryeza “Jeta kulturore në Gjilan – sfidat dhe pengesat”

28 Mar 2012

Sot në Gjilan Nënkomiteti për kulturë, rini dhe sport i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE në Gjilan organizoi një tryezë me temë “Jeta kulturore në Gjilan – sfidat dhe pengesat”. Paneli përbëhej nga njohës të pavarur të zhvillimeve kulturore dhe anëtarë të këtij nënkomiteti.


Hysen Këqiku kritikoi Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjilanit, për qasjen ndaj veteranëve të kulturës lokale. “Kemi kontribuar mjaft shumë duke shkruar një mori librash me poezi dhe të zhanrit të ndryshëm kulturor, kemi luajtur shumë kohë edhe në teatër, por asnjëherë nuk është bërë edhe një ngjarje për ne si shkrimtarë që kemi dhënë aq shumë për letërsinë e Gjilanit dhe artin në përgjithësi. Gjilani ka shumë shkrimtarë të cilët nuk i dinë as Drejtoria për Kulturë dhe asnjëherë nuk i kontakton ata për ndonjë ngjarje letrare-artistike. Po ashtu, ka monopol të tërësishëm për organizimet letrare, duke mos u dhënë mundësi shkrimtarëve që vijnë nga vise të largëta që të njihen me shkrimtarët vendës. Jemi tërësisht të anashkaluar,”- pohoi ndër të tjerash shkrimtari Këqiku.


Ndërsa Demir Krasniqi duke shpaluar historikun e ansambleve muzikore në Gjilan, shprehu pakënaqësi të mëdha se si këngëtarët popullorë, rapsodët, valltarët dhe instrumentistët e ndryshëm nuk trajtohen denjësisht dhe nuk merren parasysh nga ana zyrtare dhe institucionale e Drejtorisë për Kulturë, por edhe ofroi disa propozime për këtë drejtori. “Gjilani duhet patjetër që t’i ketë këto formacione artistike, si vijon: Ansamblin Profesionist të Këngëve dhe Valleve Popullore, bashkë me Trupën Profesioniste të Muzikës Popullore, sofrën tradicionale të këngëve qytetare që e kanë thuajse të gjitha qytetet e tjera të Kosovës, Festivalin Tradicional të Këngëve dhe Valleve Popullore, Korin e Përzier Profesionist të qytetit, Orkestrën simfonike ose kamertale, Festivalin e Këngëve për Fëmijë etj.” – tha veterani i muzikës Krasniqi.


Nazim Gagica kritikoi programin e manifestimit kombëtar “Flaka e Janarit”, duke thënë se për këtë manifestim ka keqmenaxhim, ka rënë cilësia organizative dukshëm, shpenzohen para për mëditje krejt në mënyrë arbitrare dhe ka konflikte të mëdha të interesit. “Drejtori i kulturës ka konflikte të mëdha të interesit, merret më shumë me restorante të tij në Shqipëri dhe aspak nuk angazhohet për kulturë, ndërsa udhëheqësi i trupës artistike të qytetit nuk është profesionist” – deklaroi Gagica.


Kurse Avni Rudaku shtroi disa çështje mbi artin pamor, letërsinë dhe qasjen e Drejtorisë ndaj kulturës. “Nuk kemi galeri të dinjitetshme për artistët gjilanas, nuk kemi kinema të qytetit, nuk kemi salla aspak të mjaftueshme për ngjarje muzikore dhe letrare; ka monopol të ngjarjeve kulturore ku të njëjtit persona i bëjnë të gjitha organizimet, përzgjedhin juritë dhe kështu është për të gjitha artet. Bekim Korça – një artist bashkëkohor kishte bërë një shfaqje artistike për të protestuar se nuk ka galeri, ndërsa ai ka lëndë gjyqësore me pretekstin se ka bërë sjellje që dëmton pronën publike. Është turp që Gjilani me këto kapacitete të krijuesve të artit pamor të mos ketë kushte më të mira. Po ashtu, drejtoria e ka obligim organizimin e debateve të tilla, por që nuk ka kreativitet, por as edhe vullnet për politika të mirëfillta kulturore”- u shpreh Rudaku, nënkryetari i dytë i VETËVENDOSJES në Gjilan.


Pjesa e dytë e tryezës ishte me komente dhe sugjerime nga pjesëmarrësit. Fisnik Behluli njëri ndër pjesëmarrësit, nxënës i shkollës se mesme të muzikës, tregoi për hapësirën e pamjaftueshme shkollore, mungesën e inventarit të duhur për instrumentistët e rinj, tekstet shkollore muzikore në gjuhën serbo-kroate janë botime shumë të vjetruara dhe aspak nuk ndihmohet botimi i literaturës së re dhe kritikoi anulimin e koncertit nga një orkestër zvicerane e të rinjve - e cila për çdo vit mban turne në të gjitha qytetet e Kosovës dhe kontribuojnë me donacione të ndryshme për ne - në pamundësi të rezervimit të sallës për shkak të problemeve me paga të punëtorëve të teatrit.


Për fund, pjesëmarrësit e vlerësuan organizimin e një debati të tillë mbi kulturën në nivel lokal dhe e konsideruan debatin e parë që është mbajtur në Gjilan përkitazi për sfidat dhe pengesat në jetën kulturore.





Qendra e Lëvizjes  VETËVENDOSJE! në GJILAN
Nënkomiteti për Kulturë, Rini dhe Sport

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera