Ferronikeli: rrëziku dhe rrënimi i jetës së qytetarëve Drenasit

24 Mar 2012

Sot, me datë 24 mars 2012, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, organizoi tryezë me temën “Impakti mjedisor dhe shëndetësor i Ferronikelit te punëtorët dhe banorët e Drenasit”. Në këtë Tryezë ishin të ftuar institucione të ndryshme publike dhe politike të cilët janë përgjegjës direkt apo indirekt për situatën alarmante të ndotjes dhe problemeve të tjera që po shkakton “Ferronikeli”. Përveç këtyre, në tryezë ishin të pranishëm përfaqësues nga shoqëria civile dhe banorë të lagjeve përreth “Ferronikelit”.


Të pranishmit në këtë tryezë kritikuan institucionet përgjegjëse lokale dhe qendrore për papërgjegjësinë totale ndaj kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve të Drenasit. Në të njëjtën kohë edhe propozuan disa ide për zgjidhjen e problemit. Përveç kësaj, në tryezë u kërkua që në mënyrë imediate të merren të gjitha masat institucionale dhe qytetare për të zgjidhur të gjitha ato probleme që po shkakton kjo fabrikë. Për më tepër, panelistët e tryezës vlerësuan njëzëri se menaxhmenti i “Ferronikelit” po shpërfillë në vazhdimësi thirrjet qytetare për të mos i shkelur ligjet dhe rregulloret në fuqi që duhet të jenë të aplikueshme në këtë lëmi.


Kritikat e bëra në adresë të “Ferronikelit”, Komunës së Drenasit dhe të Qeverisë së Kosovës për moskokqarje për problemet e qytetarëve, u vërtetuan edhe njëherë se janë të drejta për shkak se përfaqësuesit e institucioneve në fjalë nuk ishin të pranishëm në tryezë, ani pse ishin të ftuar. Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, komunës së Drenasit dhe të “Ferronikelit” nuk morën mundin që të jenë pjesëmarrës në tryezë, e lëre më që të bëjnë më shumë në zgjidhjen e problemeve të shumta të ndotjes së ambientit, përkqësimit të shëndetit të qytetarëve dhe të punëtorëve.


Padyshim, mungesa e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe e disa prej të ftuarve nga Drenasi, siç ishin Kryetari i Komunës, Drejtorati për Bujqësi dhe Drejtoresha e Shtëpis së Shëndetit, vërteton atë që e kemi thënë vazhdimisht se nuk janë të interesuar aq shumë për hallet dhe problemet e qytetarëve sa janë për interesat e tyre të përfitimeve materiale.


Sikur edhe më parë, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Drenas, do të vazhdojë me forma të tjera demokratike për të senzibilizuar opinionin e gjërë dhe institucionet përkatëse, për nevojën e reagimit qytetarë e institucional. Tryezat e tilla, tribunat, aksionet dhe protestat do të jenë aktivitetet në të ardhmen që do t’i ndërmarrim për të mbrojtur të drejtat politike, ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Komunës së Drenasit.






Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Drenas

Të fundit

Komunikata Intervista Aksione Lajme tjera